Shtime: Policia arreston një person për disa vepra penale, sekuestron armë zjarri
Policia e Stacionit në Shtime ka arrestuar të dyshuarin E.M. (32 vjeç), i cili ishte shpallur në kërkim për disa vepra penale, përfshirë kanosje, posedim të narkotikëve, lëndim të rëndë trupor dhe vrasje të mbetur në tentativë.
Ngjarja ndodhi pas një ankese të qytetarit, i cili raportoi se E.M. e kishte kanosur atë. Pas njoftimit, pjesëtarë të policisë të udhëhequr nga komandanti i stacionit nisën kërkimin e të dyshuarit. Rreth orës 13:30, policia mori informacion se E.M., së bashku me një të afërm, ishte paraqitur në shtëpinë e ankuesit.
Gjatë tentativës për t’u larguar me një veturë “Pick-up”, E.M. shfaqi një armë zjarri dhe u arratis drejt zonës malore të fshatit Zborc.
Fillimisht policia arrestoi M.M. (43 vjeç), i cili dyshohet se e kishte ndihmuar gjatë arratisjes.
Më pas, me vendosjen e njësive policore në pika strategjike në fshatin Carralevë, E.M. u lokalizua dhe u arrestua pa rrezikuar pjesëtarët e policisë. Gjatë kontrollit, tek E.M. u sekuestrua një armë zjarri me disa fishekë.
Sipas policisë, E.M. ishte në kërkim për:
Posedim të narkotikëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë,
Lëndim të rëndë trupor nga Gjykata Themelore në Ferizaj,
Vrasje të mbetur në tentativë nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj.
Ndërsa ndaj M.M. është inicuar rasti “Ofrimi i ndihmës pas kryerjes së veprës penale”.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.

