23:53 / E Shtunë, 06 Prill 2024 / MSH

Shtohen të sëmurët kronikë/ Mjekët: Pas pandemisë u zbuluan sëmundje “të heshtura”

Sëmundjet kronike në Shqipëri po njohin rritje. Kjo prirje sipas vlerësimeve të Institutit të Shëndetit Publik vihet re pas pandemisë së Covid 19. Hipertensioni është sëmundja me e shpeshtë me rreth 250 mijë të prekur ndjekur nga diabeti që shënon rreth 7 mijë pacientë të rinj çdo vit.

“Ka një tendencë në rritje që është reflektuar pas periudhës së Covid. Kjo e reflektuar jo vetëm nga patologjitë që vuri në pah covid që i zgjoi tek individë të caktuara, por dhe nga long covid që solli nxitje të disa patologjive kronike. Në individë ku diabeti ishte i fshehur apo frenuar u vu në dukje, hipertensioni, sëmundjet e koagolimit të gjakut pati një tendencë në rritje.”

Por nuk ka ndodhur njësoj me kulturën shëndetësore të qytetarëve, shumica e të cilëve shkojnë tek mjeku kur shqetësimet iu janë shtuar. Në ditën botërore të shëndetit drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Eugena Tomini apelon për të mos neglizhuar sugjerimet e autoritetve shëndetësore dhe kontrollet mjekësore, shkruan abcnews.

“Kemi akoma shumë punë për të bërë në drejtim të edukatës shëndetësore, duke filluar nga ne mjekët e të afërmit tanë, e popullata në përgjithësi. Rekomandimet sado të thjeshta të jenë duhet të perceptohen në mënyrën e drejtë të mundshme. Popullata duhet të kuptojë se ndjekje e parametrave fizikë e biologjikë të organizmit sigurisht sjell një shendet të përgjithshëm dhe strukturat e shëndetit duhet të apgredohen për të plotësuar nevojat e qytetarëve.”

“Shëndeti im, e drejta ime” është moto e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në ditën e shëndetit këtë vit. U zgjodh për të mbrojtur të drejtën e secilit, kudo, për të pasur akses në shërbime shëndetësore në një kohë kur miliona njerëzve po u kërcënohet gjithnjë e më shumë nga konflikte sipas OBSH që shkaktojnë vdekje, dhimbje, uri dhe shqetësime psikologjike.