75 Mall Live Search
12:17 / E Premte, 21 Qershor 2019 / indeksADMonline

Shtohet konkurrenca, Marcelo transformohet për Zidanen

Ndoshta dikush mendon se për të nuk është koha të mendojë mbi të ardhmen, as të kuptojë se konkurenca te Real Madridi do të jetë më e madhe sezonin e ri. Kjo, për shkak se po shijon pushimet me familjen.

Në fakt, e vërteta është ndryshe. Marcelo (31 vjeç) i ka filluar përgatitjet serioze për atë që e pret. Më konkretisht, po zbaton me përpikëri “dietën” e rekomanduar nga trajneri Zidane, falë së cilës braziliani ka humbur tashmë 6 kg. Dhe, siç shihet në foton e hedhur në rrjetet sociale, muskujt e barkut janë kaq të palestruar, sa për t’ia pasur zili edhe… Cristiano Ronaldo.

Ndryshimi i mentalitetit të Marcelo, pas një sezoni të keq, paralajmëron më shumë angazhim për ekipin. Para tij ishte Benzema, ai që bëri një ndryshim të tillë të madh fizik, gjatë vitit të kaluar. Ylli francez punësoi kuzhinier privat, Alberto Mastromatteo, për t’i servirur menu të personalizuara çdo ditë. Puna e tij e madhe fizike në palestër u “përkthye” në shumë gola, edhe pse ato nuk evituan dot sezonin zhgënjyes, pa asnjë trofe, të të bardhëve.

Braziliani tani është protagonist i një ndryshimi fizik, që i ka mahnitur të gjithë. Reflektimi i punës në palestër është i mrekullueshëm, jo vetëm në pjesën e muskujve të barkut, por edhe në këmbë. Dhe kjo humbje peshe, deri në 6 kg, vjen si rezultat i ushtrimeve fizike në palestër dhe një diete të rreptë.