09:38 / E Martë, 24 Mars 2020 / indeksADMonline

Shtohet numri: 60 priftërinj në Itali viktima të koronavirusit, Papa i inkurajon të mbështesin të sëmurët

Të paktën 60 priftërinj në Itali kanë humbur jetë si pasojë e koronavirusit. Priftërinjtë katolikë po infektohen çdo ditë e më shumë pasi u rrinë pranë të sëmurëve në kujdes intesiv. Papa Françesku u ka bërë thirrje që të tregohen të fortë dhe të qëndrojnë pranë të sëmurëve.

Të paktën 6,077 persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në Italinë e prekur rëndë nga koronavirusi ku numërohen 63,927 të infektuar. Sa i përket priftërinjve që kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19, shumica prej tyre ishin në të shtatëdhjetat.

Më herët gjatë marsit, Papa u bëri thirrje priftërinjve italianë gjatë një meshe, që të kenë kurajo dhe të dalin të ndihmojnë të sëmurët.

Ndër të tjera, Ati i Shenjtë u Shpreh:

“I lutemi Zotit gjithashtu edhe për priftërinjtë tanë, që ata të kenë kurajon për të dalë e për të ndihmuar të sëmurët, duke forcuar kështu Fjalën e Zotit…”

Emrat e 51 priftërinjve që humbën jetën pasi morën koronavirusin u publikuan në gazetën Avvenire të dielën.