23:11 / E Mërkurë, 26 Qershor 2019

Shtohet numri i femrave që përdorin drogë në Kosovë!

Përdorimi i drogës nga të rinjtë mbetet shqetësuese, madje ka zvogëlim të moshës së përdoruesve  në dhjetë vitet e fundit. Derisa policia vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti ka arrestuar 725 persona për trafikim me substanca narkotike.

Përdorimi i substancave narkotike në Kosovë, është në një nivel shqetësues, madje ka një zvogëlim të moshës së përdoruesve.

Deri para 10 vitesh, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës ka qenë 21,4 vjeç, kurse këtë vit është 16,2 vjeç.

Drejtori i qendrës rehabilituese të përdoruesve problematikë të drogës, “Labyrinth”, Safet Blakaj ka thënë se këtë e ka shkaktuar qasja e lehtë e të rinjve në substanca narkotike.

“Këtë e ka bërë qasje e lehtë te marihuana ose diskutimet rreth marihuanës për legalizim ose si lloj medikamenti. Mendoj se trendi gjithandej Evropës është ai që ka ndikuar më së shumti të përhapur përdorimi edhe te të rinjtë në Kosovë”, tha Safet Blakaj për RTV Dukagjinin.

Sipas Blakajt, ka ndryshuar edhe  përqindja e numrit të përdoruesve të gjinisë femërore.

“Përdorimi i drogave ka qenë dominant te meshkujt. Deri në vitin 2010 vetëm 7.6 për qind e përdoruesve të drogave kanë qenë femra, ndërkohë situata po ndryshon. Kur është fjala për llojet e drogave marihuanë dhe kokainë, përqindje e femrave që përdorin këto droga është në rritje e sipër”, shtoi më tej Safet Blakaj.

Ndërsa, sipas statistikave policore vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë arrestuar 725 persona për raste të trafikimit me droga dhe janë konfiskuar 520 kg marihuanë dhe 3 kg heroinë.