Shtrenjtimi i rrymës për 15%, Rizvanolli: Kemi propozuar që kjo rritje të zbutet

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është deklaruar rreth propozimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Në një intervistë për RTK-në, Rizvanolli theksoi se ZRRE-ja është “institucion i pavarur” dhe se ky institucion e ka propozuar rritjen.
“Siç e dini, ZRRE-ja, si institucion i pavarur, i ka publikuar raportet konsultative, më 14 mars dhe ka propozuar një rritje mesatare të çmimit rreth 15 për qind. E para: vendimi nuk është marrë për strukturën tarifore dhe e dyta: kjo rritje e propozuar nuk është përcaktuar ende sesi do të ndahet kjo rritje te bizneset apo të amvisëritë”, tha Rizvanolli të martën.
Sipas Rizvanollit, qeveria i ka propozuar ZRRE-së që të mos preken amvisëritë që shpenzojnë deri në 800 kw/H.
“Ky është vendim i ZRRE-së, të cilët ata kanë thënë se do ta marrin brenda dy javësh në vijim, ndërsa ne si qeveri kemi propozuar që rritja të zbutet dhe për këtë kemi dhënë disa argumente. E dyta është që të mos preken nga rritja amvisëritë që konsumojnë nën 800 kW/h për muaj. E treta është që të shtohet numri i blloqeve të konsumit duke shtuar një ose më shumë breze të konsumit mbi këtë konsumin prej 800 Kw/h, të cilën e kemi aktualisht”, tha ajo.
Rizvanolli tha se statistikat tregojnë se amvisëritë që konsumojnë mbi 1000 kilovat për orë, përbëjnë një numër të vogël të ekonomive familjare.
“Në nëntor të vitit 2024, vetëm 12 për qind e amvisërive kishin konsumuar mbi 1000 kW/h, mirëpo këto kishin konsumuar 39 për qind të konsumit të gjithëmbarshëm të familjeve”, sipas Rizvanollit.
ZRRE-ja pritet që të marrë vendim për shtrenjtimin e propozuar të energjisë elektrike, më 11 prill.
Aktivistë të shoqërisë civile kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Edhe opozita, e cila është e fokusuar aktualisht te veprimet politike paszgjedhore, e ka kundërshtuar rritjen e çmimit të rrymës.