Shtyerja e implementimit të tarifave për të Drejtën e Autorit nga qeveria Hoti, reagojnë organizatat ndërkombëtare

Qeveria në krye me Avdullah Hotin, më 19 tetor të këtij viti mori vendim ku ishin aprovuar tarifat e përgjithshme për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, ndërsa me 30 tetor, ai mori vendim tjetër, që të shtynte implementimin e tarifave për datën 1 prill 2021.
Lidhur me këtë pati reaguar edhe Shoqata “Autorët, Prodhuesit dhe Interpretuesit Vizual të Kosovës” (VAPIK), duke thënë se vendimi i dytë është bërë në konsultim privat të kryeministrit Hoti me përfaqësuesit e operatorëve kabllor, pa i konsultuar akterët tjerë kryesor si Shoqata për Menaxhimin Kolektiv të Drejtave të Autorit dhe Zyrën e të Drejtës së Autorit, si palë neutrale në këtë çështje.
Tashm janë publikuar edhe dokumentet që dëshmojnë se VAPIK, ka marrë mbështetje ndërkombëtare për këtë çështje. Me anë të një letre, mbështetje VAPIK-ut i është ofruar nga organizata “Writers & Directors Worldwide” me seli në Paris, e cila përfaqëson 70 organizata nga 62 vende të botës.
“Duam të tregojmë mbështetjen tonë në luftën e kolegëve tanë të VAPIK në Kosovë”, shkruan pos tjerash në këtë letër të Writers & Directors Worldwide” me seli në Paris.
Me një letër të njëjtë, kryeministrit Hoti, i është drejtuar edhe “Association of European Performers’ Organisations”, organizatë kjo që përfaqëson interesin e performuesve të 36 organizatave nga 26 shtete.
“Ne jemi informuar se derisa qeveria juaj ka aprovuar kohët e fundit tarifat për ritransmetimet kabllore, VAPIK po ballafaqohet me rezistencë të operatorëve kabllorë për t’i respektuar ato dhe për të bërë pagesat e nevojshme për VAPIK me mbledhjen taksës në emër të performuesve. Kjo është paragjykuese jo vetëm për interpretuesit në Kosovë, por më globalisht për të gjithë interpretuesit në Evropë dhe më gjerë, dhe për rolin e tyre themelor kulturor. Me anë të kësaj letre duam të shprehim mbështetjen për VAPIK-un dhe ju bëjmë thirrje ju që të siguroheni se tarifat e vendosura nga qeveria të implementohen”, shkruan në letrën e “Association of European Performers’ Organisations”.
Njëjtë i kanë shkruar kryeministrit Hoti edhe organizata simotër e VAPIK-ut nga Brukseli, “The Societies Council for the Administration of Performers Rights”. Ata i kanë kujtuar kryeministrit Hoti se këto të drejta janë të garantuara edhe me ligjet ndërkombëtare, me anë të Konventës së Romës, duke kërkuar implementim sa më të shpejtë të tarifave të vendosura nga qeveria.
“Besojmë fuqishëm se tarifat e vendosura dhe të publikuara duhet të jenë transparente dhe se vlerësimi i tyre duhet të jetë i pavarur dhe ekonomikisht i balancuar. Ne e e kuptojmë se ky proces ka ndjekur për tarifat audio vizuale andaj kërkojmë implementimin sa më të shpejtë të mundshëm në benefit të të gjithë performuesve”, shkruan në letrën e dërguar kryeministrit Hoti nga kjo organizatë.







