10:24 / E Martë, 14 Maj 2024 / L K

Shtyhet rregullorja e SHSKUK-së për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës

Rregullorja e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), nr. 02/2024 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës është shtyrë, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative e ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditësve propozues për shtyrje të ekzekutimit të kësaj rregulloreje.

Këtë gjë e ka konfirmuar për EO edhe avokati i paditësve, Ardian Bajraktari.

“Sot kam pranuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ku është aprovuar propozimi ynë për shtyrjen e ekzekutimit të rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, tha Bajraktari përmes telefonit.

Tutje Bajraktari thekson se tashmë padisë i janë bashkuar edhe 136 punonjës të tjerë të SHSKUK-së, kryesisht të shërbimit dytësor shëndetësorë, dhe shprehet optimist,

“Në pajtim me nenin 264 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, padisë i janë bashkuar edhe 136 punonjës të tjerë, dhe unë jam shumë optimist që i tille si ky vendim do të jetë edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi, megjithatë duhet të presim verdiktin e Gjykatës”, u shpreh ai.