75 Mall Live Search
13:59 / E Mërkurë, 05 Mars 2025 / MSH

Shtyhet seanca ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për spiunazh

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë dalë përballë trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ata dyshohen për spiunazh për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Avokati i Bedri Shabanit, Besnik Berisha theksoi se klienti i tij nuk do të deklarohet në seancën e sotme.

“Kam nevojë të marr aktakuzën me vete, me e lexu, e pastaj të deklarohem lidhur me fajësinë apo pafajësinë”, i është drejtuar Shabani avokatit të tij.

Kësisoj, seanca u shtye për 17 mars, raporton IndeksOnline.

Kujtojmë se në Prokurorinë Speciale të Kosovës, në shkurt të 2025-s, u ngrit aktakuzë ndaj Shabanit dhe Qerimit, për veprën penale “Spiunazh”.

Ata dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA), mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës e Inspektoratin Policor të Kosovës.

Ata dyshohen se kanë zhvilluar takime fizike në Serbi me zyrtarë të lartë të BIA-s dhe një ish-komandant të Policisë së Serbisë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në njërën nga masakrat që ishte kryer në Kosovë gjatë luftës./IndeksOnline/