Shtyhet seanca ndaj Simiqit për sulmin ndaj gazetarëve në veri

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është shtyrë seanca fillestare lidhur me aktakuzën ndaj deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe Urosh Vuksanoviq, për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq në qershor të vitit 2023.
Gjykata më pas vendosi që seanca të shtyhet për 9 tetor, duke nisur nga ora 13:30.
Avokatët e dy të akuzuarve thanë se njëri nga të pandehurit nuk i ka pranuar shkresat nga prokurori, ndërkaq tjetri i ka pranuar vetëm pjesërisht.
Prokurorja e rastit, Ajtene Zoti, tha se avokatët janë njoftuar disa herë përmes telefonit për të marrë shkresat e lëndës, por ajo tha se ata nuk kishin shkuar për t’i marrë.
Pas shtyrjes së seancës, Simiq gjatë një deklarimi për gazetarë i hodhi poshtë akuzat dhe tha se “misioni im jetësor është të promovoj paqen, bashkëjetesën, dialogun dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve përmes institucioneve dhe kurrsesi e kundërta”.
“Principet e mia themelore, kodi im politik, bazohet në atë se gazetari është i shenjtë dhe askush nuk duhet ta prekë gazetarin, dhe kështu kam vepruar ndaj gazetarëve, si në veri, ashtu edhe në jug”, deklaroi ai.