75 Mall Live Search
15:13 / E Martë, 29 Dhjetor 2020 / Blerim

Shtyhet seanca për votimin e dytë të projektligjit për buxhetin

Seanca për votimin në lexim të dytë të Projektligjit për buxhetin 2021 është shtyrë për dy orë. Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se administrata ka njoftuar se nuk janë gati materialet e nevojshme për fillimin e seancës.

“Raporti me rekomandime, lidhur me amendamentet nuk është gati andaj seanca shtyhet deri në orën 17:00”, tha Osmani. Seanca është paraparë të fillojë në orën 14:00. Projektligji për buxhetin kaloi dje në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës me 64 vota pro.

Ndërsa nga Qeveria e Kosovës buxheti 2021 u miratua më 30 tetor. Ky buxhet planifikon të hyra sipas parashikimeve fiskale 1 miliard e 885.9 milionë euro ose 97.4 milionë euro më shumë se sa vitin e kaluar.

Shpenzimet buxhetore për 2021 parashikohet të jenë 2 miliardë e 412.6 milionë euro apo 207.6 milionë më të vogla sesa vitin paraprak.