10:47 / E Diele, 08 Tetor 2017 / indeksADMonline

Shtypet makina, vdesin tre persona

Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin pasditen e djeshme. Në aksin rrugor Torovicë-Malecaj, në afërsi të Lezhës, shkëputja e një masivi shkëmbor nga mali i ka marrë jetën tre personave, mes tyre një grua shtatzënë. Gjatë shkëputjes së masivit shkëmbor, një automjet po kalonte në rrugë dhe për pasojë tre anëtarët e së njëjtës familje nga fshati Rrobosht, kanë humbur jetën.

Dy nga viktimat janë vëllezër, Edmond dhe Valentin Zefi, përkatësisht 31 dhe 29 vjeç, ndërsa viktima e tretë, Aida Gjergji, 21-vjeçe. Ajo është bashkëshortja e 31-vjeçarit. Ajo që e bën tragjike këtë ngjarje, është se gruaja e cila humbi jetën ishte shtatzënë në muajin e shtatë. Teksa familja priste që ajo të sillte në jetë fëmijën e parë, gjithçka është prerë në mes. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie, zjarrfikëse dhe ambulanca për të marrë tre trupat e pajetë. Burime nga Policia e Lezhës bënë të ditur se për nxjerrjen e trupave të pajetë nga automjeti tip “Land Rover”, është dashur ndihma e zjarrfikëses. Kjo për arsye se, masivi shkëmbor ka rënë mbi makinë. Asnjë prej viktimave nuk ka mundur të dalë nga makina në momentin e shkëputjes së shkëmbit, duke bërë që të humbin jetën tragjikisht mes gurëve. Më tej, burime të policisë theksuan se reshjet e shiut të rëna gjatë paradites së të shtunës kanë nxitur rënien e gurëve në këtë pjesë të rrezikshme të aksit, Torovicë-Malecaj në Lezhë. Megjithatë do të jetë grupi hetimor që do saktësojë shkaqet e kësaj ngjarje tragjike.

Gruaja shtatzënë shkonte tek prindërit

Policia thotë se tre viktimat ishin banorë të fshatit Rrobosht të Lezhës dhe, pasditen e djeshme kur edhe ndodhi ngjarja tragjike, po shkonin për vizitë tek prindërit e 21-vjeçares shtatzënë. Fshati ku banonin prindërit e të resë, Torovicë, mësohet se nuk ndodhej shumë larg nga vendi ku ndodhi ngjarja e rëndë. Dy vëllezërit dhe gruaja shtatzënë po shkonin për një vizitë familjare tek prindërit e Aidës, të cilët festonin një festë fetare. Ata nuk mundën të mbërrinin në destinacion, për shkak se një shkëmb i shkëputur nga lartësia e malit në aksin Torovicë-Malecaj goditi automjetin e tyre dhe për rrjedhojë humbën jetën në vend. Nga ana tjetër, pas ngjarjes së rëndë, banorët e kësaj zone janë shprehur se ankohen vazhdimisht për rënien e gurëve në këtë pjesë të rrugës, por apeli i tyre ka rënë në vesh të shurdhër. “Tragjedia e sotme (djeshme) është një ngjarje e paralajmëruar, por institucionet nuk kanë denjuar të marrin masa parandaluese”, janë shprehur ata për media. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes nuk kanë vonuar të shkojnë as familjarët e viktimave. Në gjendje të rënduar nga ajo çfarë kishte ndodhur, fjalët e tyre ishin të pakta. Lotët e tyre nuk pushonin, të shoqëruar me të bërtitura. Vetë ata nuk donin ta besonin atë çfarë kishte ndodhur, por e vërteta ishte e hidhur. Burimet zyrtare të Policisë së Lezhës bënë të ditur do të vijojnë hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë. Trupat e pajetë të tre viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike, janë dërguar fillimisht në morgun e qytetit të Lezhës, ku do t’i nënshtrohen autopsisë./Shekulli