19:57 / E Martë, 13 Gusht 2019

Shtyrja e tarifave për mallrat nga Kina rrit aksionet në bursa

Aksionet në Wall Street u rritën shpejt sot pasi qeveria amerikane vendosi të shtyjë tarifat e reja për disa artikuj nga Kina dhe përjashtoi plotësisht tarifat e disa produkteve të tjera, fillimisht të destinuara për të filluar më 1 shtator.

Indeksi më i gjerë i S&P 500 u rrit 1.8 për qind,  Dow Jones me 493 pikë ose 1.9 për qind në 26.391 pikë, dhe Nasdaq me 2.3 për qind, raporton AP.

Administrata e SHBA-së ka shtyrë vendosjen e tarifave prej 10 për qind për datën 15 dhjetor për disa produkte kineze, përfshirë laptopë dhe telefona celularë, të planifikuar fillimisht për 1 shtator.

Produkte të tjera, taksa ndaj të cilave  do të shtyhet së zbatuari deri në mes të dhjetorit, përfshijnë “kompjuterë, konsolla lojërash në video, lodra të caktuara, monitorë kompjuterësh dhe disa artikuj të veshmbathjeve”, sipas një deklarate nga Zyra e Tregtisë e SHBA-së, transmeton KosovaPress.

Një grup i veçantë produktesh gjithashtu do të përjashtohet “bazuar në shëndetin, sigurinë, faktorët e sigurisë kombëtare dhe më shumë”, thuhet në deklaratë.

Investitorët e sektorit të teknologjisë mirëpritën lajmet për përjashtimet, të cilat ngritën stokun e prodhuesit të çipave me 2.8 për qind, ndërsa aksionet e Apple u rritën mbi 5 për qind.

Më 1 gusht, presidenti Donald Trump njoftoi se do të vendosë tarifa 10 për qind në mallra kineze me vlerë 300 miliardë dollarë, pasi Kina nuk e kishte përmbushur premtimin për të blerë sasi më të mëdha të produkteve bujqësore të SHBA-së.

Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë amerikane do të lëshojë detaje shtesë dhe lista të llojeve specifike të produkteve për të cilat do të zbatohet masa e fundit.