75 Mall Live Search
18:00 / E Diele, 17 Gusht 2025 / AR

Shuhet ylli i filmave “Superman”

Aktori britanik Terence Stamp, një figurë e shquar e kinemasë, i njohur për rolin e tij si superkeqbërësi me emrin gjenerali Zod në filmat  “Superman”, ka vdekur në moshën 87 vjeç, sipas “The Independent”.

Aktori i nominuar për çmimin Oscar, i cili luajti në më shumë se 60 filma gjatë karrierës së tij, duke përfshirë “The Limey dhe The Adventures of Priscilla, Queen of the Desert” vdiq sot mëngjes, bëri të ditur familja e tij.

“Ai lë pas një vepër të jashtëzakonshme, si aktor dhe si shkrimtar, që do të vazhdojë të prekë dhe frymëzojë njerëzit për vite me radhë”, tha familja.

Stamp u lind në East End të Londrës në vitin 1938, bir i një punëtori rimorkiatorësh. Ai i mbijetoi bombardimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, menjëherë pas përfundimit të shkollës, ndoqi një karrierë në reklama, ku punoi për disa vite.