Shukri Buja: Katër korsi për një Lipjan që lëviz lirisht – mos u kënaqni me zgjidhje të pjesshme

Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja ka reaguar ndaj ndryshimeve në projektin e zgjerimit të rrugëve kryesore në Lipjan, duke theksuar se qyteti po rritet me shpejtësi dhe ka nevojë për zgjidhje afatgjata të trafikut.
Ai kujtoi se projekti fillestar parashihte 4 korsi të plota, shtigje për biçikleta dhe trotuare për këmbësorët, por qeverisja aktuale e reduktoi atë në vetëm tre korsi, gjë që sipas tij ka sjellë kaos dhe bllokim të kryqëzimeve.
Buja premtoi rikthimin te plani origjinal dhe përfundimin e plotë të projektit:
- Katër korsi të plota për qarkullim,
- Dy rrethrrotullime funksionale për të lehtësuar pengesat,
- Vazhdimin e rrugës Qamil Olluri deri te rruga Sadik Shala, për të shkarkuar qendrën nga trafiku i rënduar.
“Ky nuk është vetëm një projekt rruge, por ndërtim i një të ardhme më të mirë për Lipjanin – një qytet me lëvizje më të lirë, ajër më të pastër dhe më pak stres për qytetarët,” theksoi Buja, duke ftuar qytetarët:
“Mos u kënaqni me zgjidhje të pjesshme. Bashkohuni me ne për një Lipjan që funksionon për të gjithë.”