75 Mall Live Search
17:02 / E Enjte, 18 Shtator 2025 / Z S

Shukri Buja premton transport publik falas për nxënësit dhe stacion të ri autobusësh në Lipjan

Kandidati për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka ndarë përvojën e tij të udhëtimit me autobus drejt Prishtinës, ku tha se pati rastin të bisedojë me nxënës, punëtorë dhe qytetarë të tjerë që çdo ditë ballafaqohen me vështirësitë e transportit publik.

Sipas tij, qytetarët shprehën pakënaqësitë për vonesat, mungesën e lidhjeve të rregullta dhe nevojën për një sistem më modern.

“Autobusi i mëngjesit nuk ishte vetëm udhëtim, por një takim i vërtetë me jetën reale të qytetarëve të Lipjanit,” u shpreh Buja.

Ai premtoi tri masa konkrete për të përmirësuar transportin publik:

  1. Ndërtimin e një stacioni të ri autobusësh në Lipjan;
  2. Lidhje të rregullta mes qytetit dhe fshatrave;
  3. Transport publik falas për nxënësit.

Buja tha se këto nuk do të mbeten vetëm fjalë, por zotime të përbashkëta që do të realizohen në mandatin e tij.