75 Mall Live Search
07:52 / E Premte, 04 Janar 2019 / indeksADMonline

Shumë fillestar lënë palestrën në janar, përse ndodh kjo?

Elson Bici është një trajner personal, i cili ka studiuar për Mjeshtëri Sportive në Itali. Pas universitetit ka kryer specializimin “Shkenca dhe teknika të aktivitetit fizik” me maksimumin e votave. Ka jetuar dhe punuar 14 vite në Itali dhe prej disa muajsh e ka sjellë përvojën e tij në Tiranë, ku punon si instruktor dhe trajner personal. Është shumë i përqendruar në çështjet e mirëqenies, duke e lidhur stërvitjen me ushqimin. Ai ka zgjedhur që njohuritë e tij t’i ofrojë si kontribut, nëpërmjet artikujve që shkruan për çështjet e fitnesit, stërvitjes, mirëqenies dhe ushqimit. “Sekreti është të lexosh,- thotë ai. – Unë lexoj çdo ditë një orë para se të fle”.

Tri arsye përse fillestarët lënë palestrën pas muajit janar 
Shumë prej nesh kanë kërkesa të mëdha për të trajtuar format trupore, sidomos pak para se të afrojë pranvera. Të gjithë, pa përjashtim, duan të duken bukur me veshjet e lehta, e sidomos me rrobat e reja të banjës. Kjo kuptohet sapo fillon viti, ku nëpër palestra regjistrohen mijëra vetë. Mirëpo vrulli zgjat shumë më pak nga sa mund të mendohet. Në mes të shkurtit, dyndjet dhe radhët e gjata nëpër veglat e palestrës zhduken. Po ju tregoj arsyet kryesore përse një fillestar dorëzohet, si dhe sekretet se si të mos ndodhë e kundërta.

Mungesa e kohës 
Të gjithë ata që dorëzohen në fillim, nxjerrin si justifikim mungesën e kohës. Ideja e të zgjuarit herët për t’u stërvitur para se të nisim aktivitetin ditor, është mjaft dekurajuese. Të gjithëve na shijon gjumi i mëngjesit, apo edhe ajo ora e pushimit pasdite pas pune. Mes tundimit të palestrës dhe jastëkut, fiton ky i dyti. Nga gjithë angazhimet e përditshmërisë, pa u sforcuar shumë, palestra lihet mënjanë e para dhe kthehet gjithmonë në punën e së nesërmes.

Shpenzim i tepërt 
Palestra është një shërbim që kushton dhe një faturë që u mbivendoset kërkesave tona të panumërta. Ka njerëz që nuk duan ta paguajnë abonimin, sepse shkojnë rrallë dhe u duket sikur po i shpenzojnë kot paratë. Pra, paratë janë një nga arsyet kryesore pse të rinjtë braktisin palestrën.
Rezultatet duan kohë
Kur nisin palestrën, rezultatet nuk janë të menjëhershme, por të rinjtë vijnë me një pritshmëri tjetër, humbasin motivimin që në javët e para dhe kështu largohen. Është shumë e rëndësishme të mendojmë se duke u stërvitur, po i bëjmë një shërbim shumë të madh trupit tonë. Prandaj duhet të mundohemi të stërvitemi rregullisht dhe të kemi shumë besim te vetja. Kjo është një rrugë e gjatë dhe sigurisht e mundimshme. 
Ja pse lind nevoja t’i këshilloj të gjithë fillestarët si të stërviten me besim dhe të kalojnë “turpin” e fillimit, pa e braktisur palestrën.

disine

Tre sekrete për të kaluar turpin e fillimit në palestër
1- Stërvitu me besim 
Mos lejoni që pasiguria dhe frika t’ju ndalojnë të përmirësoni veten! Dikur, të gjithë, edhe trupat më të bukur që shohim në palestër, kanë qenë fillestarë. Duhet të tregoheni mendjehapur për të arritur rezultate në forcë dhe të keni dëshirë për të vazhduar. 
Edhe pasi ta kaloni këtë fazë dhe ta dini me siguri çfarë mund të bëni, përsëri do të ndiheni të frikësuar nga palestra. Gjithsesi, do të jeni në kushtet kur mund të ndihmoni dhe t’u jepni zemër më të rinjve në palestër. Të shkoni në një qendër stërvitore e të ndiqni me siguri rutinën tuaj të stërvitjes është më e thjeshtë kur e keni të qartë se çfarë do të bëni dhe ku mund të arrini me mbështetjen e duhur.

2- Gjithmonë duhet të kemi një plan (program) stërvitjeje
Keni hyrë ndonjëherë në palestër me dëshirën e madhe për t’u stërvitur dhe nuk ua hiqni dot sytë peshave, klasave dhe pajisjeve? Me siguri do të jeni ndier i mbingarkuar nga mendimi dhe me keqardhje keni përfunduar te pista e vrapit… përsëri! (ufffff) Ndaj, është shumë e rëndësishme të keni një program ditor stërvitor. Duhet të bëni një plan dhe t’i qëndroni atij; ai jo vetëm do t’ju ndihmojë që të mos sorollateni kot nëpër palestër (siç bëjnë shumica e fillestarëve), por edhe të shfrytëzoni në maksimum kohën e stërvitjes, që pas çdo ushtrimi të mos pyesni veten “Çfarë do të bëja më pas?”
Për këtë mund t’ju ndihmojë instruktori i palestrës.

3- Merrini gjërat shtruar 
Gabimi që bëjnë përgjithësisht të gjithë e më pas demoralizohen, është të krahasuarit e vetes. Nëse sapo keni filluar, është e thjeshtë të mendoni se nuk do të jeni kurrë aq të fortë ose nuk do të dukeni asnjëherë aq në formë sa yjet e Instagramit apo trupat super fit që shohim në palestër. Kjo mund të shkatërrojë të gjithë fuqinë dhe energjinë pozitive. Të gjithë ata që na mahnitin, e kanë nisur rrugën drejt fitnesit njësoj si ju. Mos i përdorni ata si arsye dekurajimi, por si frymëzim. Çdo ditë, hidhni një hap drejt objektivit që keni në mendje, sado i vogël qoftë, dhe këtu mund të shpreh një nga konceptet bazë të punës sime, që thotë:

ÇDO PROGRES I VOGËL, ËSHTË MË I MIRË SE ASNJË PROGRES

Prandaj, kur ndonjëherë merreni me aktivitet dhe ju duket sikur nuk keni dhënë maksimumin, mos u shqetësoni, sepse është shumë herë më mirë sesa po të kishit marrë një sy gjumë. 
Pasi të keni kaluar me vështirësi fazën e fillimit, vazhdimësia dhe koherenca janë çelësi i suksesit. Sekreti kryesor i arritjes së objektivave në fitnes, është që të stërviteni rregullisht e të mundoheni të mos mungoni. Nuk ka rrugë tjetër. 
Të gjithë ëndërrojmë të kemi muskuj barku (6 pack abs) dhe mundësisht të na dalin vetë gjatë natës, por kjo mbetet një ëndërr. Duhet të tregohemi rigorozë në frekuentim dhe të duruar me rezultatet. Bëhuni shok i vetes dhe kujtoni që nuk jeni aty vetëm për t’u bërë më të fortë, por edhe sepse kjo është rruga e duhur për të arritur synimin. Përkushtojuni programit tuaj, kini gjithmonë një mendim pozitiv për përmirësimin dhe… bëjeni, bëjeni, bëjeni!

ftinewnr