20:31 / E Martë, 21 Mars 2023 / S Z

Shumë kirurgë e pak anesteziolog, ngecin punët në QKUK

Shumë nga klinikat në Qendrën Klinike Universitare, punojnë me kapacitete jo të plota apo të përgjysmuara sa i përket ndërhyrjeve, si pasojë e mungesës së anesteziologëve. Të gjitha klinikat në QKUK funksionojnë me vetëm 45 anesteziologë. Ndërsa  për të funksionuar siç duhet dhe për t’u kryer të gjitha ndërhyrjet, QKUK-së i duhen 100 deri në 120 anesteziologë. Por viteve të fundit numri i anesteziologëve të cilët kanë braktisur QKUK-në është rritur, si pasojë e kushteve në këtë qendër.

Si pasojë e numrit të pakët të anesteziologëve në shumë klinika nuk punojnë shumë salla, të cilat janë në dispozicion për ndërhyrje. Çdo ditë ka ankesa nga pacientët të cilët duhet të presin gjatë, për ndërhyrje kirurgjike në QKUK.

Një burim brenda QKUK-së i ka thënë “Indeksonline” se numri i anesteziologëve është shumë i vogël, krahasuar me kërkesat që ka QKUK-ja. Ndërkaq thotë se numri i kirurgëve është shumë më i madh se sa ka nevojë në QKUK dhe shumë nga kirurgët nuk dinë as çfarë të bëjnë gjatë ditës, pasi që nuk ka punë për gjithë ata kirurgë. E për këtë gjendje që sot është në QKUK ai e fajëson planifikimin që është bërë në QKUK tash e 24 vjet.

“Janë shumë pak anesteziologë. Një anesteziolog me u smu, salla bjen nga funksioni dhe shumë procedura mjekësore në QKUK s’mund të kryhen. Bie komplet një sistem në klinikë. Brenda javës mund të bien 15 salla edhe kur anesteziologët fare nuk pushojnë, e mos të flasim me shku dikush në pushim vjetor dhjetë ditë, 40 pacient bijnë. S’ka zëvendësim, s’ka kush i  zëvendëson anesteziologët. Të gjithë ata që kanë qenë në sistem shëndetësor tash e 24 vjet, nuk kanë planifikuar asgjë dhe se gjendja ka ardhur deri këtu. Ka mungesë të madhe të anesteziologëve dhe neonatologëve. Kirurg në QKUK  ka më shumë se sa ka nevojë. Ka shumë kirurgë të cilët gjatë ditës nuk dinë çfarë të bëjnë. Kanë pranuar kirurg pa kriter. Janë pranuar më shumë se ka nevojë klinika. Ndërkaq ka shumë më pak anesteziolog, se sa janë nevojat dhe kërkesat reale”, tha ai.

Ndërkaq thotë se në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale nga pesë ditë pune, punohet vetëm tri ditë, pasi që nuk ka anesteziologë për me shumë punë. Dhe se kjo gjendje sipas tij do të vazhdojë dhe së paku për tri vitet e ardhshme.

“Minimum dhe në tri vitet e ardhshme do të ketë mungesë, sepse anesteziologët nuk janë të interesuar të punojnë në QKUK me 1260 euro, pasi që në klinika private paguhen 4 deri në 5 mijë euro. Krejt çka duhet të bëjë Qeveria është që të punojë që së paku të mund t’i mbajë në QKUK këta anesteziolog që janë tani. Sepse nuk bëhet fjalë që të kthehen anesteziologët që janë larguar nga QKUK, pasi që ata janë duke punuar privat me kushte shumë më të mira”, tha ai./Indeksonline/