16:33 / E Martë, 26 Qershor 2018 / indeksADMonline

Shumë shpejt pritet të miratohet ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, shqyrtoi sot disa nga projektligjet me interes të  veçantë për qytetarët e Kosovës.

Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, projektligji për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz si dhe projektligji për rregullimin e shërbimeve të ujit, janë disa nga temat që u trajtuan sot nga ky komision i kryesuar nga Daut Haradinaj.

Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ky ligj i shumëpritur, për pak ditë do të miratohet dhe do të ndihmojë të gjithë ata që kanë pasur vështirësi. Tani më ky ligj pritet t’i ketë taksa më të ulëta dhe në tërësi do të jetë në favor të qytetarëve të cilët deri më tani kanë pasur probleme.

Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje u bë edhe formimi i Grupit Punues për projektligjin e kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për të cilin u tha se pritet që shumë shpejt të marr epilogun e merituar.

Në komision gjithashtu u diskutua për të ftuar Ministrin e Bujqësisë Nenad Rikalo për raportim rreth dëmeve të shkaktuar në Kosovë nga vërshimet e fundit e në veçanti për dëmet në Komunën e Rahovecit./Indeksonline/