75 Mall Live Search
18:04 / E Enjte, 31 Mars 2022 / MSH

Shumica e trupave ruse largohen nga centrali i Çernobilit

Kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës, Energoatom, thotë se shumë nga trupat ruse që mbanin termocentralin bërthamor të Çernobilit janë larguar, raporton Reuters.

Energoatom tha se forcat ruse që po largohen janë duke shkuar drejt kufirit me Bjellorusinë, duke lënë pas vetëm disa trupa në territorin e centralit, transmeton Indeksonline.

“Okupatorët, të cilët kapën termocentralin bërthamor të Çernobilit dhe objektet e tjera në zonën e përjashtuar, janë nisur në dy kolona drejt kufirit ukrainas”, tha Energoatom në një deklaratë.

Ai shtoi se trupat ruse ishin tërhequr edhe nga qyteti i afërt i Slavutych, ku jetojnë punëtorët ukrainas në Çernobil.

Trupat ruse morën kontrollin e uzinës së Çernobilit qysh në ditën e parë të pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putini.

Moska vazhdimisht kishte mohuar që forcat ruse rrezikonin objektet bërthamore në Çernobil.