Shyhrete Berishës i njihet e drejta si bashkëpronare e shtëpisë, vendimi i plotë i Apelit për vërtetimin e aktgjykimit
Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e paditëses Shyhrete Berisha dhe atë të të paditurit Xhelal Berisha, ndërkaq ka vërtetuar aktgjykmin e Gjykatës Themelore në Prizren- Dega në Suharekë, me të cilin i ishte njohur e drejta e pronësisë në 1/2 e pjesës së shtëpisë.
Gjykata në Suharekë përmes vendimit të 12 gushtit 2022 kishte aprovuar pjesërisht padinë e Berishës, duke vërtetuar se ajo në bazë të kontributit ëshë bashkëpronare me 1/2 në shtëpinë e banimit të ndërtuar në vendin e quajtur “Pojata” në Suharekë. Kurse, i padituri si kundërvlerë për 1/2 e bashkëpronësisë që i është njohur Berishës, detyrohej t’ia kompensojë asaj në mënyrë solidare shumën prej 130,800,58 euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjithashtu, me vendimin e Themelores i ishte refuzuar pjesa tjetër e kërkesëpadisë paditëses Berisha, përmes së cilës kishte kërkuar “të vërtetohet se është bashkëpronare me 1/9 pjesë ideale në bashkëpronësi me të paditurit Arben dhe Xhelal Berisha, secili me nga 1/9 pjesë ideale të ngastrave 953-0, 957-0, 059-, 1883-8, 2742-2 dhe që është pronare me 1/6 pjesë ideale të ngastrës në vendin e quajtur “Pojata”- për pjesën që është evidentuar në emër të Xhelal Berishës, dhe të gjitha në Zonën Kadastrale në Suharekë, e cila pjesë i ka takuar Berishës dhe bashkëshortit të saj pas ndarjes së pasurisë së përbashkët familjare”. Po ashtu, kishte kërkuar të obligohen të paditurit t’ia paguajnë shpenzimet e procedurës në lartësi prej 6 mijë e 558 euro.
Kundër vendimit të Themelores, ankesë ka parashtruar i autorizuri i paditëses Shyhrete Berisha, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe të vërtetojë se paditësja ëshë pronare e 1/2 pjesë ideale e shtëpisë së banimit në ngastrën kadastrale që është shqyrtim i këtij kontesti.
Po ashtu, pala paditëse kishte kërkuar me ankesë që të vërtetohet se Berisha është bashkëpronare me 1/9 të pjesës ideale në bashkëpronësi me të paditurit Xhelal dhe Arben Berisha- secili me nga 1/9 të pjesës ideale me ngastrat që janë objekt i kontestit, si dhe kërkoi shpenzimet e procedurës.
Gjithashtu, ankesë kishte parashtruar edhe e autorizuara e të paditurit të dytë Xhelal Berisha, avokatja Shpresa Berisha, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Pala e paditur kishte kërkuar që të hudhet poshtë me aktvendim si e palejuar ose aktgjykimi i atakuar të ndryshohet në pikën I, duke refuzuar kërkesëpadinë apo të prishet aktgjykimi për atë pikë dhe të kthehet në rigjykim. Ndërkaq, për pikën II, kërkoi të vërtetohet aktgjykimi.
Përgjigje në ankesën e palës paditëse kishte parashtruar gjithashtu pala e paditur (Xhelal Berisha), duke propozuar të hudhet ankesa e paditëses si e palejueshme ose ta refuzojë atë si të pathemeltë.
Gjykata e Apelit konstatoi se ankesat janë të pathemelta. Sipas kësaj Gjykate, qëndrimi dhe përfundimi i shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi aktgjykimi nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë.
Po ashtu, Apeli gjeti se vendimi i Themelores nuk është i përfshirë as në shkelje të tjera të dispozitave të procedurës kontestimore, të cilat i ka pretenduar pala ankuese në ankesë.
Sipas Apelit, Themelorja ka vlerësuar provat dhe dëshmitë e dëshmitarëve në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar.
“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në përputhje të plotë me arsyet e dhëna, ku arsyetimi i dhënë është në përputhje me dispozitën e nenit 160, paragrafi 4 i LPK, për faktin se gjykata e shkallës së parë del se ka dhënë arsye të mjaftueshme për faktet e çështjes, duke pas parasysh edhe rastin që është kthyer në rigjykim, si dhe për provat të cilat i ka shfrytëzuar për vërtetimin e fakteve vendimtare si dhe për vlerësimin e tyre”, thuhet në vendim.
Të pathemelta, Gjykata e Apelit i vlerësoi edhe pretendimet për konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, ngase Themelorja në bazë të provave të nxjerra gjatë shqyrtimit kryesor, ka vendosur si në vendim.
Aty thuhet se gjykata nuk është kufizuar vetëm në kontributin e dhënë nga pala paditëse kundrejt të paditurve, por edhe kontributi i saj është zgjeruar në raport me kontributin që ka dhënë bashkëshorti i saj në raport me anëtarët e tjerë të familjes- konkretisht këtu të paditurit.
“… e cila Gjykatë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe bindëse, juridike dhe faktike lidhur me faktet vendimtare të cilat kanë pas ndikim në mënyrën e vendosjes sipas aktgjykimit të ankimuar, të cilat si të rregullta dhe të bazuara në ligj, në tërësi i pranon Gjykata e Apelit”, thuhet më tej në vendim.
Gjithnjë sipas Apelit, në arsyetimin e vendimit të shkallës së parë, janë dhënë arsye të mjaftueshme dhe bindëse për të gjitha faktet vendimtare të cilat janë marrë në vlerësim nga shkalla e parë, sipas të cilave është vendosur lidhur me aprovimin e pjesërishëm të kërkesëpadisë.
Aktgjykimi i Themelores, Apeli gjen se është i rregullt në pikëpamje të strukturës dhe përmbajtjes, duke përfaqësuar një vendim i cili është koherent në pikëpamje logjike dhe juridike, duke eliminuar çdo kontradiktë. Aty thuhet se zhvillimi i procedurës dhe hartimi i vendimit nga Themelorja, kanë garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm.
“Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë në këtë çështje drejt e ka vërtetuar gjendjen faktike e cila nuk vihet në dyshim me pretendimet ankimore dhe kështu Gjykata e kishte një pasqyrë reale mbi gjendjen faktike në këtë çështje juridike, për këto arsye aktgjykimi i shkallës së parë është vërtetuar”, thuhet në vendim.
Fillimisht, Themelorja më 28 maj 2017 kishte aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e paditëses. Por, Apeli më 21 janar 2021 e kishte kthyer rastin në rigjykim. Ndërkaq, me vendimin e 26 gushtit 2022, në rigjykim, Themelorja vendosi si në dispozitiv të aktgjykimit të atakuza.
Përmes padisë së 23 majit 2013, paditësja Shyhrete Berisha kishte paditur Xhelal dhe Arben Berishën, për vërtetimin e pronësisë me kërkesë edhe dorëzimin e tyre. Ndërkaq, të paditurit përmes përgjigjes në padi më 17 shtator 2014, kishin kundërshtuar si të pabazuar padinë e paditëses.
Ndërkaq, më 4 maj 2022, paditësja kishte paraqitur parashtresë, me të cilën kishte bërë prezicimin e kërkesëpadisë, pra duke aprovuar pjesërisht padinë e Berishës.
Sipas padisë të precizuar më 9 dhjetor 2014, i ndjeri N.B., dhe bashkëshortja e tij- këtu paditësja Shyhrete Berisha, në vitin 1997, janë ndarë nga bashkësia familjare sipas traditave, të cilëve u ka takuar 1/3 e pronës së paluajtshme dhe ½ e shtëpisë së banimit.
Gjatë jetës, bashkëshorti i paditëses, shtëpinë e tij ia ka lëshuar misionit të OSBE-së dhe të hyrat nga qiraja i ka pranuar ai. Në padi thuhet se si e mbijetuar e masakrës së Suharekës, pas strehimit që ka qenë jashtë Kosovës, Shyhretja kthehet për ta vazhduar jetën në shtëpinë e saj, mirëpo prindërit e bashkëshortit të saj nuk ia lejojnë një gjë të tillë.
Në këto rrethana, paditësja përmes padisë ka kërkuar anulimin e Akvendimit T.nr.52/10001 të datës 26 nëntor 2001, dhe testamenti ND.nr.5/2000, i datës 15 maj 2000, i lënë nga trashëgimlënësi F/B., dhe vërtetimin se paditësja Shyhrete Berisha është pronare e ½ e pjesës së shtëpisë së banimit si dhe pronare e 1/3 pjesë ideale të paluajtshmërisë që evidentohet si ngastër kadastrale 2742, 2743, 953, 957, 958 në Zonënë Kadastrale Suharekë, duke i paditur kështu Arben dhe Xhelal Berishën.

