21:02 / E Premte, 09 Mars 2018 / indeksADMonline

Si arriti Albin Kurti të largoi nga VV-ja më të fuqishmin e partisë, Shpend Ahmetin

Dorëheqja e fundit në Lëvizjen “Vetëvendosje”, e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë që të dobësohet partia opozitare e Albin Kurtit. Mirëpo, si erdhi vendimi për dorëheqje të Ahmetit.

I pari i kryeqytetit ishte njëri prej personave kyç që fuqishëm rriti LVV-në; njëherë me fitoren historike për VV-në në Prishtinë, pastaj përsëri të njëjtën e bëri edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Pa pikë ndihme nga qendra e Vetëvendosjes në Prishtinë, Ahmeti arriti që me fuqitë e veta të dal derë më derë, e lagje më lagje, për ta fituar kryeqytetin.

Madje, përpos që Qendra e LVV-së nuk e ndihmoi atë të fitojë Prishtinën, të njëjtit dyshohen se kishin punuar kundër Ahmetit gjatë fushatës zgjedhore.  Se Albin Kurti nuk i ishte falënderues Shpend Ahmetit, tregoi me vizitat e tij të qëllimshme kohëve të fundit. Kurti vizitoi disa kryetarë komunash, por jo edhe Shpend Ahmetin, shkruan Indeksonline.

Madje dje ai i bëri vizitë Agim Bahtirit duke injoruar përsëri kryetarin e partisë dhe komunës së tij. Se klani Kurti indirekt po fillonte ndikimin në punën e Ahmetit, u pa në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Prishtinë.

Disa asamblistë të VV-së që janë të krahut të Albin Kurtit kanë votuar kundër raportit financiar të komunës për periudhën janar-dhjetor 2017. Raporti financiar nuk u miratua pasi kundër votuan 33 asamblistë, 9 votuan pro dhe 6 të tjerë nuk kanë votuar. Tërë këto rrjedha për të cilat Shpend Ahmeti kishte heshtur që një kohë, morën fund në ditën e mërkurë.

Ahmeti me një letër njoftuese konfirmoi largimin nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje. Të menjëhershme ishin reagimet e fansave pro-Kurti të cilët filluan fushatën tashmë ofenduese ndaj të larguarve nga Vetëvendosje, shkruan Indeksonline.

Disa postime në rrjetet sociale janë sponsorizuar ku kritikohet deri dje i pakrahasueshmi i tyre, Shpend Ahmeti, ndërsa mllefi është shprehur edhe në forma të tjera në rrjetet sociale.

Se Shpend Ahmeti është politikan i kalibrit të lartë, tregoi qëndrimi i disa partive të cilat menjëherë indirekt ia hapën dyert,  ani pse e kishin rival të fuqishëm në vitet e fundit në komunën më të madhe në Kosovë./Indeksonline/