18:31 / E Shtunë, 27 Tetor 2018 / indeksADMonline

Si asnjëherë më parë, Kosova i fiton tri medalje në një ‘Grand Slam’

Vajzat kosovare kanë shënuar sukses të jashtëzakonshem në Grand Slam-in që po mbahet në Abu Dhabi, duke fituar tri medalje. Një e artë e dy të argjendta.

Majlinda Kelmendi, është rikthyer nga lëndimi në mënyrën më mbresëlënëse dhe frymëzuese të mundshme, duke e arritur finalen e Grand Slamit Abu Dhabi të shtunën.

Kampionia olimpike në xhudo nuk arriti të fitojë në finale ndaj italianes Odette Giuffrida në kategorinë -52 kilogram, pasi u dorëzua pas lëndimit që kishte në hundë.

Gjatë meçit, Majlinda kishte probleme me hundën e saj, të cilin e pësoi në çerekfinale dhe detyrohej që ta mjekonte vazhdimisht.

Kelmendi në gjysmëfinale e mposhti britaniken Chelsie Giles duke fituar me Ippon.

Ky ishte rikthimi i Majlindës pas lëndimit të gjatë që e mbajti jashtë aktiviteteve për 14 muaj.

Poashtu medalje të argjend ka fituar edhe Distria Krasniqi. Krasniqi pati mundësinë ta fitojnë medaljen e artë, por e humbi ndeshjen finale pasi u mposht nga mongolja Urantsetseg Munkhbat.

Ndërsa suksesin më të madh e arriti Nora Gjakova, e cili fitoi medaljen e artë në Grand Slam-in që po zhvillohet në Abu Dhabi.

Nora në finale e mposhti me ippon xhudisten nga Rusia, Anastasiia Konkina, në kategorinë deri -57 kilogramë.

Deri në finale Nora pati punë shumë të vështirë. Ajo e kaloi pa luftë rundin e parë, kurse në të dytin triumfoi kundër xhudistes nga Rumania, Loredana Ohai.

Në çerekfinale, Gjakova u përball me xhudisten franceze, Priscilla Gneto, duke triumfuar me Ippon për të siguruar gjysmëfinalen. Kampionia evropiane tregoi cilësi të madhe edhe kundër xhudistes nga Taipeh, Chen-ling Lien, duke e mposhtur gjithashtu me Ippon. /IndeksOnline/