20:04 / E Mërkurë, 06 Shtator 2023 / AR

Si do të jenë anijet e së ardhmes?

E ardhmja e transportit mund të kalojë përmes velave për lundrim. Velat e gjeneratës së re të instaluara në anijet e transportit mund të ndihmojnë në bërjen e transportit detar më të gjelbër, duke reduktuar emetimet ndotëse. Një kompani angleze kohët e fundit ka testuar një lloj të ri velash që mund të revolucionarizojë logjistikën detare.

Sipas IMO, organi i Kombeve të Bashkuara që rregullon sektorin detar, pjesa e emetimeve të ndryshimit të klimës që i atribuohet transportit detar është e barabartë me 2.7% të emetimeve totale. 

Anijet e mëdha, si anijet e lundrimit ashtu edhe anijet e mallrave, janë shpesh shumë të vjetra dhe të furnizuara me lëndë djegëse veçanërisht ndotëse si nafta e rëndë, një derivat i naftës i rafinuar dobët që kushton më pak se dizeli tradicional. Dhe një anije e madhe mund të djegë deri në 250,000 litra karburant në ditë.

Ideja për t’u rikthyer në origjinën e lundrimit duke pajisur me vela anijet e mëdha të ngarkesave që lëvizin në oqeane erdhi nga Cargill, një kompani shumëkombëshe që merret me transportin detar me zyra në portet kryesore të botës.

Teknikët e kompanisë pajisën anijen e kontejnerëve Pyxis Ocean me dy vela të ngurta dhe e dërguan atë në një kalim nga Kina në Brazil.

Velat metalike janë rreth 38 metra të larta dhe janë bërë nga Bar Technologies, një kompani që punon në botën e teknologjive sportive të varkave dhe furnizon me materiale anijet në Kupën e Amerikës dhe ekipet e Formula 1. Për ndërtimin e tyre janë përdorur të njëjtat materiale të përdorura në turbinat me erë; ato mund të palosen kur nuk përdoren ose kur anija ndalet në port. E vetmja pengesë: ato mund të krijojnë disa vështirësi në operacionet e ngarkimit dhe shkarkimit të kontejnerëve. Por teknologjia është ende në fillimet e saj.

Sipas inxhinierëve të Cargill, dy velat mund të zvogëlojnë emetimet totale të anijes deri në 30%. Për të mos folur për kursimet në karburant, i cili është gjithnjë e më i shtrenjtë edhe në këtë sektor. Me pak fjalë, teknologjia duket shumë premtuese dhe është e destinuar të ndryshojë thellësisht botën e transportit detar.