Si do të veprojë Presidentja pasi VV-ja t’ia dërgojë emrin e Konjufcës për kryeministër?
Profesori universitar Mazllum Baraliu ka deklaruar se mandatari i ri për kryeministër duhet ta dëshmojë para presidentes se i ka numrat e nevojshëm me nënshkrime të 61 deputetëve për formimin e qeverisë dhe se e ka të përgatitur kabinetin qeverisës, raporton Ekonomia Online.
Baralaiu në një intervistë për Ekonomia Online se afati ligjor është drejt përfundimit dhe nëse nuk arrihet shumica, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Po duhet ta dëshmojë mandatari i ri para presidentes që edhe i ka numrat për ta bërë qeverinë edhe e ka kabinetin e caktuar qeverisës, siç e pati mandatari paraprak, dhe në afatin e caktuar që është i fundit duke kaluar, brenda këtij afati duhet të dëshmojë që i ka. Pastaj presidentja e mandaton, caktohet dhe mbahet seanca e Kuvendit në të cilën zgjidhet kabineti qeverisës i propozuar nga mandatari i ri ose jo. Nëse nuk fiton 61 vota, automatikisht brenda 40 ditësh shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme edhe të parakohshme,” tha ai.
Baraliu theksoi se, ndonëse nuk ka një afat të prerë për veprim, situata aktuale kërkon që çdo orë të shfrytëzohet me kujdes.
“Nuk ka afat të caktuar, por meqë jemi në terminet kohore përndryshe, po të ishte fillimi i afatit të dytë 10+15, do të kishte dy javë ditë por tani jemi në përfundim të afatit dhe do të duhej të shfrytëzohej çdo orë, pas mandatimit të presidentes që është obligim i saj të bindet nga mandatari i ri që edhe e ka kabinetin qeverisës, edhe i ka numrat e siguruar me nënshkrime nga 61 deputetë që mund ta votojnë këtë kabinet qeverisës,” tha ai.
Profesori Baraliu e cilësoi këtë moment si vendimtar për formimin e qeverisë së re, duke e përshkruar mandatarin e ri si figurë bashkëpunuese.
“Është momenti i fundit që të kemi një qeveri të re. Kemi një mandatar që për të gjitha subjektet politike është ndryshe nga mandatari i parë — dukshëm më bashkëpunues, më tolerant. Atë e ka dëshmuar në legjislaturën e tetë kur ka qenë kryetar i Kuvendit. Është njeri që mund të merresh vesh lehtë me të dhe unë mendoj që do të ishte një personalitet unifikues,” tha Baraliu.
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër të qeverisë së re. Ende nuk dihet nëse partia në pushtet ka siguruar shumicën prej 61 votash për votimin e kabinetit./Indeksonline/

