75 Mall Live Search
12:30 / E Mërkurë, 26 Gusht 2020 / indeksADMonline

Si do të zhvillohet mësimi në shkollën me më së shumti nxënës, në Kosovë?

Fushë-Kosova, që nga paslufta është ndërtuar shumë. Me objekte të shumta banesore  e me popullatë të re, janë disa nga karakteristikat e qytetit që shërben si rrugë transit për të lidh thuajse të gjitha qytetet e Kosovës me kryeqendrën, Prishtinën, shkruan IndeksOnline.

Mirëpo këto nuk janë karakteristikat e vetme që ka ky qytet. Kjo pasi që brenda tij ndodhet shkolla që ka numrin më të madh të nxënësve në nivel nacional.

 Rreth 3 mijë nxënës ndjekin mësimin në shkollën fillore “Mihal Grameno”. Ndërsa tani kur vetëm një javë na ndan nga fillimi i vitit të ri shkollor, nxënësit e kësaj shkolle do të duhet të ndahen në grupe më të vogla në mënyrë që t’u kthehen bankave shkollore.

Ky vendim është marrë pas takimit që kanë pasur kryetarët e komunave me kryeministrin Avdullah Hoti dhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj, e të cilët janë dakorduar që në këtë mënyrë ulet rreziku i përhapjes së Covidit-19.

Drejtori i Arsimit i Fushë-Kosovës Islam Shabani, në një prononcim për IndeksOnlinen tha se shkolla “Mihal Grameno” do ta ndajë secilën klasë në dy grupe, meqë aktualisht klasat numërojnë rreth 40 nxënës e ndonjëherë edhe më shumë brenda një klase.

Shabani ka treguar se secila klasë do të ketë nga 20 nxënës dhe mësimi do të zgjas afërisht deri në 3 orë, ndërsa nxënësit do të ulen secili i vetëm në bankë.

“Secila klasë do të ndahet në dy grupe, me një ndërrim me një grup tjetër, Sepse ne nuk mundemi t’i futim nga 40 nxënës të në njëjtën kohë. Deri nga 20 i vendosim brenda klasës më në klasë, një nxënës një klasë. Nëse grupi i parë shkon  nga ora  7 e gjysmë apo tetë  në 10 tjetra, një grup prej  orë 13:00 ose prej 2 e gjysmë, në varësi të situatës”, tha Shabani për IndeksOnline.

Ai ka treguar se e kanë analizuar mjaft mirë situatë dhe kjo është e vetmja mënyrë që mësimi të zhvillohet në rrethanat aktuale.

Që nga marsi me fillimin e rasteve të para të të prekurve me Covidin-19, nxënësit nuk kanë qenë pjesë e bankave shkollore, duke zhvilluar kështu mësimin në distancë deri në qershor kur edhe i dhanë fund vitit shkollor 2019-20.IndeksOnline/