Si e kërcënoi me kallashnikov gjakovari gruan dhe mikun, sherri nisi në sallon për shkaqe xhelozie

Një person është arrestuar në Gjakovë, pasi që nën kërcënimin e armës, ka mbajtur peng në shtëpinë e tij gruan dhe vëllanë e saj.
Indeksonline mëson se i dyshuari është Gëzim Gashi i lindur në vitin 1977, i cili ka kërcënuar dhe mbajtur peng gruan e tij Emine Gashin dhe vëllanë e saj Idriz Hasanaj.
Rastin në polici e ka raportuar njëri nga viktimat Idriz Hasanaj, i cili ka arritur të ikte nga vendi i ngjarjes, teksa motra e tij Emine Gashi po mbahej peng ende nga bashkëshorti i saj në shtëpinë e tij.
Gruaja e cila nën kërcënimin e armës është mbajtur peng nga bashkëshorti i saj, është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
E lidhur me rastin Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti I Përgjithshëm, ka dhënë detaje.
Sipas prokurorisë i pandehuri Gëzim Gashi në shtëpinë e tij ka kanosur ne armë gruan e tij Emine Gashin dhe vëllain e saj Idriz Hasanaj, se do t’i privojë nga jeta. E gjithë ngjarja sipas Prokurorisë ka ndodhur derisa të tre po qëndronin në sallon dhe e gjithë kjo filloi pas një mosmarrëveshje për shkaqe xhelozie.
“Sipas pikës I të dispozitivit të kërkesës, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet G.G., me datë 26.02.2025, rreth orës 13:00 në rr. “I.G.” në Gjakovë saktësisht në shtëpinë e tij, seriozisht dhe me armë AK 47 e kanos të dëmtuarën bashkëshorten e tij E.G., dhe të dëmtuarin I.H., i cili është vëllai I bashkëshortes së tij se do ti privojë nga jeta, në atë mënyrë që ditën kritike derisa kishin qenë duke ndenjur në sallon midis tyre nis një mosmarrëveshje me të dëmtuarën –bashkëshorten e tij E.G., për shkaqe xhelozie”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet G.G., ka marrë
Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Në njoftimin e Porkurorisë po ashtu thuhet se këto veprime formojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 prg.4 lidhur me prg.2 të KPRK-së.
Në njoftim po ashtu thuhet se sipas pikës II të dispozitivit të kërkesës, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet G.G., me datë 26.02.2025 rreth orës 13:00 në rr. “I.G.” në Gjakovë saktësisht në shtëpinë e tij, me dashje dhe me mjet të rrezikshëm (thikë) me të cilin mund të shkaktojë lëndim të rënd trupor ose dëmtim të rendë të shëndetit ushtron keqtrajtimin fizik, me qëllim që t’i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër dhe atë viktimës së ndjeshme – bashkëshortes së tij E.G., me ç‘rast të dëmtuarës i shkakton lëndime të lehta trupore të përshkruara sipas raportit mjekësor të lëshuar nga Spitali Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.
Këto veprime formojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 prg.3 nënprg.3.2 lidhur me prg.2 dhe prg.1 të KPRK- së.
Sipas pikes III të dispozitivit të kërkesës, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet G.G., nga koha e pavërtetuar e deri me datë 26.02.2025 në rr. “I.G.” në Gjakovë, saktësisht në shtëpinë e tij, pa autorizim ka mbajtur në posedim armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët nr.05/L- 022.
Këto veprime formojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 prg.1 të KPRK-së.