13:03 / E Martë, 19 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Si e vjedh politika shtetin?

Indeksonline

Njëri nga segmentet më të ndjeshëm në vendin tonë pa dyshim që është sektori publik. Jo vetëm politikat që kanë dështuar në vizionin e tyre për të ndërtuar një relacion të mirëfilltë në raport me qytetarin, institucionin dhe ligjin, por dështimi edhe më shumë ka ndodhur në rrafshin e menaxhimit financiar të ndërmarrjeve publike. Dhe, këtu fillon dhe ka filluar yryshi politik prej klasës politike, pa përjashtim.

Të gjitha ndërmarrjet publike, nga Posta, Telekomi e deri në KEK, nga gjigantët siç është Trepça, e deri në ndërmarrjet publike nëpër komuna i janë nënshtruar menaxhimit të keq dhe vjedhjes masive.

Pothuaj nuk ka media në Kosovë që nuk e di se cili politikan nga cila ndërmarrje publike është pasuruar, qoftë ajo nga Aeroporti apo deri te ajo që merret me pastrimin e qytetit apo edhe deri te sektorët e ndjeshëm siç janë spitalet, arsimi e të mos flasim për dikasteret qeveritare.

Në qoftë se flitet për KEK, atëherë është sekret publik se kush është bosi i krimit prapa. Në qoftë se flitet për aeroport atëherë është gjithashtu e ditur se nga rrodhën vjedhjet te njerëzit e politikës, e deri te njerëzit që thirren në emër të familjeve që kanë sakrifikuar për këtë vend.

Në qoftë se flitet për Telekomin e Kosovës, atëherë dihet saktësisht kush punësoi aty, kush mori projekte gjigante në nivele milionëshe, cilat media politike kishin qasje të pakufizuar dhe kush qëndron mbrapa zhvleftësimit të ndërmarrjeve publike për t’i bërë ato sa më pak me vlerë monetare në mënyrë që edhe politikanët hajna të kenë mundësi nesër për t’i privatizuar.

Dikasteret qeverisëse të bujqësisë, fjala vjen, janë sekret publik që ndërlidhen me ministrat të cilët kanë krijuar firmat e tyre e prej të cilave i vjedhin milionat.

Madje, në ditët e fundit një medium në Kosovë raportoi për një segment kriminal të orientimit të pasurisë shtetërore për firmat e caktuara në krye të së cilës ishte ish-ministrit serb Nenad Rikalo dhe stafi menaxherial i MB i cili staf realisht e ka blerë drejtësinë duke i punësuar të afërmit e policëve hetues, prokurorëve apo gjykatësve familjarët e tyre.

Indeksonline është duke i hulumtuar keqpërdorimet gjigande të establishmentit politik, dhe shpejt do të dalë me emra konkretë, nga institucionet qendrore në ato lokale. E të mos flasim për kazinot dhe bastoret e ndryshme të cilat me nga një licencë e dhjetëfishojnë numrin e shërbimeve të tyre. /Indeksoline/.