11:46 / E Shtunë, 14 Tetor 2017 / indeksADMonline

Si e zbuloi policia e Tiranës kanabisin e hedhur në shkurre

Në vijim të aksionit për kontrollin e territorit me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike që mund të jetë fshehur në vende të ndryshme, policia e Tiranës ka bërë të mundur gjetjen e një sasie prej 109 kilogramë kanabis sativa.

Njoftohet se gjatë ditës së djeshme shërbimet e policisë të Komisariatit nr.6, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në territorin e fshatit Kus, Kashar, mund të ishte fshehur apo hedhur lëndë narkotike kanabis sativa në territor të pyllëzuar kanë evidentuar dhe sekuestruar në një korije me shkurre, 109 kg lëndë narkotike kanabis sativa, të pa ambalazhuar, të hedhur mes shkurreve.

Sipas burimeve policore, lënda narkotike dyshohet se është hedhur nga poseduesit, si rezultat i presionit dhe kontrollit të vazhdueshëm që policia po kryen për të goditur këtë aktivitet kriminal.

Ndërkohë policia ka njoftuar se po vijon puna për evidentimin dhe kapjen e autorëve./Shekulli