Si funksionon Liga C e Ligës së Kombeve, ku garojnë Kosova dhe Shqipëria

Sot, e martë, në orën 18:00, do të hidhet shorti për edicionin 2020/21 të Ligës së Kombeve në Amsterdam, ku Kosova dhe Shqipëria do ta mësojnë fatin për grupet e veta në Ligën C.
Dy kombëtareve shqiptare mund edhe t’iu bie shorti të përballen mes vete.
Pasi e fitoi Grupin 3 të Ligës D edicionin e kaluar, Kosova është ngritur në një ligë më lart, në atë C. Ndërsa, Shqipëria për pak sa s’ra në Ligën D për këtë edicion të ri.
Aktualisht, edhe Kuqezinjtë e edhe Dardanët janë në Ligën C dhe pasi që radhitet në dy vazo të ndryshme – Shqipëria në vazon e parë dhe Kosova në vazon e dytë – shorti mund të bëjë që atë të duhet të luftojnë kundër njëra-tjetrës gjatë edicionit 2020/21.
Si funksionon Liga C e Ligës së Kombeve?
– Ekipet pjesëmarrëse në Ligën C të Ligës së Kombeve: Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bjellorusia, Qipro, Estonia, Sllovenia, Letonia, Luksemburgu, Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Moldavia.
– Ekipet do të ndahen në katër grupe nga katër skuadra.
– Fituesi i secilit grup promovohet në Ligën B.
– Dy ekipe të Ligës C do të bien në Ligën D për edicionin e tretë të kësaj gare, 2022/23.
– Këto dy skuadra që bien nga liga do të caktohen nga play-offs (që luhen me formatin vajtje-ardhje)
– Në play-offs do të marrin pjesë katër ekipet që janë radhitur në pozitën e katërt të secilit grup të Ligës C.
– Nëse ndonjëra prej këtyre ekipeve do të luajë në play-offs kualifikues për Kupën e Botës 2022, atëherë play-offs për rënie në Ligën D anulohet dhe automatikisht bien në nivelin më të ulët dy ekipet kombëtare të radhitura në pozitën e 47-të dhe atë të 48-të në ranglistën e UEFA-s, transmeton express.
UEFA i ka bërë disa ndryshime nga edicioni i fundit i Ligës së Kombeve. Tani do të jenë nga katër skuadra në top tri nivelet (Ligën A, Ligën B dhe Ligën C), përderisa herën e kaluar shumica e grupeve ishin me nga tri skuadra.
Për më tepër, ky edicion i Ligës së Kombeve nuk garanton tani vende për Kupën e Botës 2022, përderisa edicioni i kaluar ua mundëson katër skuadrave të kualifikohen për EURO 2020, në mesin e të cilave synon të jetë edhe Kosova.
Megjithatë, dy ekipe do të kenë mundësi të kualifikohen për Kupën e Botës në Katar përmes kësaj rruge, pasi që dy nga 12 vendet në play-offs për Botëror (për tri vende të lira) do të jenë në dispozicion për ekipet përmes Ligës së Kombeve, në krahasim me 16 ekipet që marrin pjesë në play-offs për Evropian.
Ndeshjet e këtij edicioni do të zhvillohet nga shtatori deri në nëntor të vitit 2020, ndërsa finalet do të mbahen verën e ardhshme.