19:32 / E Martë, 02 Shkurt 2021 / k.v

Si i la aeroporti “Adem Jashari” 60 punëtorë pa punë, iu hakmorr për një grevë (Pamje)

Autor: Jeton SOPA/ IndeksOnline

Në gushtin e vitit 2019, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ishte paralizuar për disa ditë me radhë nga greva e qindra punëtorëve të këtij aeroporti që kishin dalë për të kërkuar të drejtat e tyre.

Kërkesat e tyre karshi menaxhmentit të Aeroportit të Prishtinës ishin kompensimi dhe benefitet për rrezikshmërinë, nivelizimi i pagave, zbatimi i kontratës kolektive, pagesa e orëve shtesë gjatë vikendit, etj.

Greva e organizuar nga sindikata e punëtorëve ishte ndërprerë pas disa ditësh me premtimin se menaxhmenti i aeroportit do t’ua plotësojë kërkesat e punëtorëve në muajt e ardhshëm.

Por ndodhi e kundërta, menaxhmenti i aeroportit filloi hakmarrjen ndaj punëtorëve grevist.

Sipas kryetarit të sindikatës së punëtorëve të aeroportit, Bashkim Latifi, pas përfundimit të grevës, menaxhmenti i aeroportit jo vetëm që nuk i plotësojë kërkesat e tyre por fillojë një fushatë hakmarrëse ndaj punëtorëve duke i larguar nga puna mbi 60 punëtorë duke përfshirë edhe vet atë.

“Ne pas grevave arritëm një marrëveshje me punëdhënësin të cilën shumë pak e ka realizuar, për mos me thënë hiq dhe pas grevave punëdhënësi fillojë një hakmarrje ndaj punëtorëve protestues, ato erdhën duke u rënduar sepse qysh në shtator fillojë me largimin nga puna ku duke hyrë në kamera dhe duke targetuar punëtorët protestues filluan ti qesin në komisione disiplinore ku mbi 30 punëtorë i kanë qit në komisione për shkelje fare të vogla”.

Kryetari i sindikatës thotë se menaxhmenti i aeroportit ka shënjestruar punëtorët pjesëmarrës në grevë dhe sidomos ata të vijës së parë duke i shikuar kamerat e sigurisë por edhe pamjet që janë publikuar në media në atë kohë.

“Prej arsyeve ma të ndryshme bile krejt banale ka pas raste kur shefi i ndërrimit ju ka bërë aq shumë presion punëtorëve sa që e ka përcjellë edhe në banjo edhe te mjeku, kur ka shku te mjeku ka thanë u vanove punëtorja i ka thanë se unë jam keq dhe nuk jam mirë prej presionit tënd dhe shefi i ka thënë se ka me të qit në komision disiplinor dhe e sheh kush jemi na se ti je kanë protestuese e zëshme. Në fillim të janarit i ka larguar 11 punëtor prej pune më pastaj me 31 janar 2020 ka larguar edhe 23 punëtor prej pune të gjithë protestues të vijës së parë të gjithë anëtar të sindikatës. Megjithë ankesat në inspektorat, punëdhënësi jonë nuk e ndali zullumin. Me 3 mars largoi edhe 28 punëtorë prej pune dhe atë për çudi kur inspektorati i punës ishte në aeroport, pra gjatë kësaj kohe punëdhënësi ynë largoi afërsisht 60 punëtorë prej pune”.

Kryetari i Sindikatës tregon për IndeksOnline se në fillim të janarit të këtij viti është suspenduar nga puna në bazë të një procesi të montuar dhe ajo që është më skandaloze, sipas tij, atij i është mbyllur edhe zyra e sindikatës ku i është pamundësuar zhvillimi i aktivitetit sindikal.

“Unë jam përfaqësues i 500 punëtorëve ku punëdhënësi shpifi dhe montoi një proces disiplinor i cili është i bazuar shumë në shpifje dhe s’ka asgjë të vërtetë ku më pastaj më kanë suspenduar nga puna. Dhe çka është më keq, punëdhënësi arriti ta futë në lajthitje edhe Ministrinë e Brendshme duke thënë se Ministria e Brendshme ta ka ndalu edhe aktivitetin sindikal. Pra që një muaj mua mu ka ndaluar edhe zyra brenda aeroportit ku zhvillojë aktivitetin sindikal të cilin e kam të garantuar me ligjet në fuqi”.

Punëtorët e larguar nga puna kanë bërë ankesë në Inspektoratin e Punës dhe në bazë të vendimit të Inspektoratit, ata kanë fituar të drejtën e kthimit në punë brenda 8 ditësh.

Kompania që menaxhon Aeroportin “Adem Jashari” Limak Kosova, kishte bërë ankesë në shkallën e dytë të Inspektoratit të Punës mirëpo edhe shkalla e dytë ju kishte dhënë të drejtë punëtorëve dhe ankesa e Limak ishte konsideruar si e pa bazuar. Duke qenë se kompania “Limak Kosova” nuk po i zbatonte vendimet e Inspektoratit punëtorët i janë drejtuar instancave më të larta dhe tashmë kanë filluar ti fitojnë rastet e para edhe me vendim të gjykatave.

“Ne kemi bërë ankesa në Inspektoratin e Punës i cili fillimisht ka nxjerr dy vendime dhe ka konstatuar shkeljet që i ka bërë aeroporti dhe i ka dhënë afat aeroportit ti largoj vendimet për largim nga puna të punëtorëve mirëpo ata nuk e kanë përfillur vendimin e Inspektoratit. Pra këtu janë dy vendime, shkalla e parë dhe shkalla e dytë që janë në favor të punëtorëve të cilat nuk janë përfillur nga menaxhmenti i aeroportit dhe ne si sindikatë jemi detyruar t’i drejtohemi gjykatës ku të gjithë punëtorët kanë bërë padi dhe tash punëtorët kanë filluar ti fitojnë rastet në gjykata. Vendimet e gjykatës e vërtetojnë se punëtorët janë larguar padrejtësisht prej pune”, thotë për IndeksOnline, Bashkim Latifi, kryetar i sindikatës.

IndeksOnline i ka dërguar pyetje menaxhmentit të aeroportit të Prishtinës për të kërkuar sqarime rreth largimit nga puna të mbi 60 punëtorëve mirëpo as pas 4 ditëve ne nuk kemi marrë përgjigje.