22:23 / E Martë, 21 Maj 2024 / MSH

Afrimi i PDK-së me VV-në, Daut Haradinaj: Nuk është befasi sepse gjysma e VV-së janë PDK

Daut Haradinaj deklaroi në Pressing në T7 se po të ishte deputet sipas bindjes së tij (jo në emër të AAK-së), do t’i bashkohej nismës për shpërndarje të Kuvendit nëse do të kishte një kërkesë për kthimin e Gjykatës Speciale në Kosovë.

Këtë deklaratë Daut Haradinaj e dha duke komentuar darkën mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së Memli Krasniqi.

“Nuk po flas si AAK por po jepi mendim personal, të isha kanë deputet, ka raste që unë kam votu edhe jashtë bindjeve të partisë, shumë herë. I kam bindjet e mia personale. Në rast se ata e kishin pas një kërkesë për kthimin e Gjykatës Speciale në Kosovë unë isha kanë shumë pro, ju kisha bashku nismës (për shpërndarje të Kuvendit), sot dhe ju kisha bo thirrje deputetëve të AAK-së me i dhanë besim shpërndarjes së Kuvendit”., tha Haradinaj në Pressing.

“Është krejt personale, po të isha në tavolinë me z.Kurti, unë kam qenë deputet në shumë mandate dhe kjo më ka ndihmu me pas një pasqyrë dhe me kuptu pse ndodhin këto takime. P.sh., një kohë z.Kurti kishte nevojë si peshku për Oksigjen për Isa Musfatën dhe në një moment janë taku ish-kryeministri i ka thanë e ki përkrahjen për një koalicion qeverisës  në rast se ti shkon dhe i vendos lule varrit të Ibrahim Rugovës. Kryeministri dhe presidentja aktuale janë shku kanë qitë lule dhe kanë bo nderim”, tha Haradinaj, pasi dha deklaratën për Gjykatën Speciale.

“Tash unë nuk e di PDK-ja çfarë kërkese ka pas në tavolinë me kryeministrin, por e di që kryeministri nuk i ka thirrë me i bo nder PDK-së”, tha ai.

Tutje, ai u shpreh se nuk është marre me pas vendi bashkëqeverisje PDK-VV.

“Jam shumë i lumtur që na befason PDK-ja nga pak dhe i uroj suksese shpresoj që edhe opinioni publik e vlerëson këtë befasi, nuk është marre me kanë në bashkëqeverisje PDK-VV sepse gjysma e VV-së janë PDK, ish-PDK dhe mendoj që është logjike”, tha Haradinaj në Pressing.