Si i vazhdohet mandati Gjykatës Speciale dhe sa serioze është treguar ajo
Dhoma e Specializuar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar konsiderohen si një nga dizajnimet ligjore të Bashkimit Evropian, të dedikuara që “parimisht” t’i kontribuojnë vendosjes së rendit ligjor brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Avokati Arianit Koci në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ajo se çka e bën këtë iniciativë eksperiment kontravers juridik, është se i gjithë ky kaos legjislativo-gjyqësor është iniciuar nga publikimi i Raportit të Dick Martit “Trajtimi jonjerëzor i njerëzve dhe trafikimi ilegal i qenieve njerëzore në Kosovë”, i miratuar nga Parlamenti Evropian në vitin 2011.
“Për funksionalizimin e kësaj “kreature” juridike të paparë në sistemet juridike moderne, duhej të bëhej amandamentimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila në mënyrë decidive kërkon që ndryshimet kushtetuese të miratohen me dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë”, ka deklaruar Koci.
Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të ligjit me 3 gusht 2015, gjykata në fjalë ka filluar veprimtarinë e saj.
Çka po ndodh me aktakuzat?
Pas shumë vitesh hetimesh, sipas Kocit, nuk e kemi asnjë aktakuzë të ngritur, edhe pse para pesë vjetësh kryeprokurori i parë i “Task Forcës” Clint Ëilliamsonse pati deklaruar se i ka të gatshme dëshmitë dhe aktakuzat dhe se do t’i ngritë të njëjtat posa të krijohet gjykata.
“Kjo doli të mos jetë e vërtetë. Në anën tjetër, kemi një procedim të ngathtë të rasteve, ku së paku në një rast, i dyshuari është ftuar për intervistim në hotel. Apo, e kemi rastin e kësaj jave, ku në fund të korrikut, ftohen përnjëherë pesë persona, duke e përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Koci ka folur edhe për aktakuzat e mundshme të Gjykatës Speciale.
“Si pjesëmarrës direkt në disa intervistime të të dyshuarve, pa hyrë në detaje për shkaqe etike, mund të them se prej “linjës” së marrjes në pyetje, flas vetëm për procedimet ku unë kam marrë pjesë, prokuroria e njeh shumë pak kontekstin shoqëror në Kosovë. Prokuroria ka shumë informata të pasakta dhe gjysmë të vërteta. Kjo natyrisht ndikon edhe në kualitetin e aktakuzave eventuale”, ka thënë ai.
Sa është mandati kohor i kësaj gjykate?
Mandati kohor i kësaj gjykate është i përcaktuar në Amendamentin 24, Neni 162 i Kushtetutës së Kosovës, ku në paragrafin 13 të saj thuhet se “mandati i kësaj gjykate do të jetë pesë (5) vjeçarë, përveç nëse njoftimi mbi përmbushjen e mandatit të saj ndodhë më herët, në përputhje me Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes Kosovës dhe BE-së lidhur me Misionin EULEX (që në fakt është vetëm një shkëmbim letrash që trajtohet si ratifikim).
“Në rast se një notifikim/njoftim i tillë nuk është dhënë, atëherë mandati i Dhomës së Specializuar dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë deri në dhënien e njoftimit në bazë të Ratifikimit të Marrëveshjes mbi EULEX-in si dhe në konsulta me Qeverinë (Paragrafi 14), ka deklaruar Koci.

Në bazë të asaj se çka përmban legjislacioni themelues i kësaj gjykate si amendamentet, ashtu dhe ligjet, ligjdhënësi nuk ka paraparë diçka konkrete lidhur me vazhdimin e mandatit të kësaj gjykate, përveç siç është thënë më sipër.
“Amendamenti 24 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shërben si kornizë ligjore e themelimit të Gjykatës Speciale dhe çdo vazhdim të këtij mandati do të kërkonte një amendament të ri, i cili marrë parasysh klimën politike aktuale është pothuajse i pamundur të arrihet, meqë Kushtetuta parasheh që ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen me dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë”, ka thënë ai.
Në media është folur edhe për mundësinë e themelimit të një tribunali nga ana e Kombeve të Bashkuara të formatit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, në rast të mos-miratimit të amendamenteve kushtetuese. Një gjë e tillë, sipas avokatit, do të ishte praktikisht shumë e vështirë, meqë fillimisht do të nevojitej miratimi i një rezolute nga ana e Këshillit të Sigurimit. Në anën tjetër, Koci thotë se provat e siguruara gjatë procedurës para Dhomës së Specializuar dhe Zyrës së Prokurorit Special, është pyetje se sa dhe si, do të mund të përdoreshin nga një “suksesor” potencial./Indeksonline/