09:05 / E Shtunë, 16 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Si në “Luftën e Ftohtë”, Rusia shkëmben spiunët me Lituaninë e Norvegjinë

Autoritetet ruse lanë të lirë dy shtetas lituanezë dhe një norvegjez, në këmbim të dy spiunëve rusë të ndaluar nga Lituania, në një proces të ngjashëm me ato të përdorura gjatë Luftës së Ftohtë.

Shefi i inteligjencës lituaneze, Darius Janiskis bëri me dije se shkëmbini ndodhi në mesditë në një pikë kontrollit në kufi të Lituanisë.

Norvegjezi, Frode Berg, një roje në pension i kufirit mes Norvegjisë dhe Rusi, u dërgua në ambasadën e këtij vendi në Vilnius dhe më pas iu dorëzua autoriteteve norvegjeze. Ai u arrestua në vitin 2017 në Moskë dhe u shpall fajtor për mbledhje informacioni në favor të Norvegjisë, akuza të cilat u kundërshtuan nga Berg. Lirimin e rojes kufitare në pension e përshëndeti dhe kryeministrja norvegjeze, Erna Solberg përmes një deklaratë për shtyp.

“Një nga dy rusët e liruar, Nikolai Filipchenko, u arrestua në vitin 2017 dhe u dënua me 10 vite burg për spiunazh dhe kalim të kufirit me dokumente të falsifikuara”, bën me dije zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Lituani. Ai mbante gradën e leitnant kolonelit në Shërbimin Federal të Sigurisë Ruse (FSB).

Rusi tjetër i lënë i lirë është Sergej Moisejenko, i arrestuar në 2014 dhe i dënuar në 2017 me 10.5 vite burg për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

Filipchenko kishte si mision të hynte në stafin e sigurisë të presidentit lituanez dhe të vendoste pajisje përgjuese në presidencë dhe në zyrë. Ndërsa Moisejenko mblidhte informacion rreth forcave ushtarake të Lituanisë dhe atyre të NATO.

Dy lituanezët e shkëmbyer në këtë marrëveshje janë Jevgenij Mataitis dhe Aristidas Tamosaitis. Të dy u ndaluan nga autoritetet ruse nën akuzën për spiunazh. “Mataitis, i cili ka dhe nënshtetësi ruse ishte dënuar me 13 vjet burg për tradhti ndaj vendit”, bën me dije agjencia ruse e lajmeve TASS