09:18 / E Enjte, 23 Maj 2024 / G T

Si një kapiten i vërtetë, Berat Gjimshiti: Sukses i madh, nuk e kam imagjinuar kurrë!

Skuadra e Atalantas shënoi fitore të madhe mbrëmë në finalen ndaj Bayer Leverksuenit në Europa League në ndeshjen e zhvilluar në Dublin.

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti ishte kapiten i ekipit nga Bergamo dhe në fund e ngriti në qiell titullin kampion, shkruan Indeksonline

Pas ndeshjes, Gjimshiti foli për këtë sukses të madh dhe tregoi se as nuk e kishte imagjinuar.

“Është e vështirë të gjesh fjalët tani, as që po e kuptoj se çfarë bëmë. Një sukses kaq i madh, pas finales së humbur në Kupën e Italisë, është i pabesueshëm. Megjithatë tani nuk më interesojnë 3 finalet e humbura”-tha fillimisht shqiptari.

“Jam krenar, sot mësova se do të mbaj shiritin në krah. Grupi është fantastik, luajtëm shumë mirë dhe me meritë”-vijoi kapiteni “kuqezi”.

“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë. Kur arrita situata dhe pritshmëritë ishin të ndryshme, ne po luanim për të shmangur rënien. Ardhja e Gasperinit solli një filozofi të re, ai gjithmonë dëshiron të përmirësojë lojtarët dhe t’i bëjë ata të performojnë dhe të japin më të mirën e tyre. Pastaj pas disa viteve fillova të imagjinoj një moment të tillë, ndoshta jo Europa League, ndoshta më shumë Kupën e Italisë, por sot e meritojmë të gjithë këtë”, përfundoi Berat Gjimshiti.

Kujtojmë që Gjimshiti është kapiten edhe te Kombëtarja e Shqipërisë dhe do ta udhëheq ekipin “kuqezi” drejt Euro 2024./Indeksonline/