10:18 / E Martë, 16 Qershor 2020 / indeksADMonline

Si pasojë e vajit të palmës, produktet e qumështit më lirë se uji

Prodhimtaria në vend pothuajse ka mbetur nën hijen e zhvillimeve të fundit politike dhe pandemisë Covid-19.

Një ndër sektorët që vazhdon të ballafaqohet me sfida të mëdha është edhe industria e qumështit, ku sipas Shoqatës së Industrisë së Qumështit askush nga institucionet përkatëse nuk po merret me problemet e shumta të qumështëtarëve, në Kosovë.

Megjithatë, ndër problemet më të mëdha në këtë sektor janë tepricat e qumështit dhe konkurrenca jo e drejtë në treg.

E krejt këto barriera, duket se kanë vetëm një emër, e ai është vaj i palmës që paraqet edhe një rrezik tjetër për shëndetin e konsumatorëve.

Kështu ka thënë Ramadan Memaj nga Shoqata e Industrisë së Qumështit në Kosovë, i cili bën ditur se aktualisht disa produkte të qumështit në pikat e shitjes në tërë vendin janë më lirë se ujë.

Kjo sipas Memajt, është shqetësuese dhe dukuri e rëndë për prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit.

KosovaPress ka hasur edhe në fletushka nga ofertat e ndryshme prej disa përpunuesve ku çmimet për këto produkte janë drastike të ulëta.

Ai po ashtu ka thënë se me gjithë faktin se ka pasur një mbyllje të fermave dhe zvogëlim të sasisë së qumështit, prapëseprapë, kohë pas kohe, shfaqen tepricat e qumështit ku nuk po arrijnë qumështarët t’i absorbojnë dhe t’i tregtojnë ashtu siç duhet dhe siç e meritojnë këto produkte.

Memaj thotë se përderisa nuk ndalohet vaji i palmës për produktet e qumështit nga importi dhe nga prodhuesit e qumështit, shpreh frikën se problemet në këtë sektor nuk do të zgjidhen asnjëherë.

Ky shqetësim i tij, ka ardhur për faktin që këto produkte nuk trajtohen ligjërisht, dhe janë prodhime ilegale të cilat e kanë mbizotërua tregun e Kosovës nga importi dhe prodhimi vendor.

E ajo që është më e keqja në këtë kohë pandemie, Memaj thotë se nuk shihet nga institucionet e Kosovës se e kanë marrë seriozisht këtë lloj kërcënimi të cilin e kanë këto prodhime një dozë të madhe të rrezikshmërisë sa i përket sigurisë së konsumimit të tyre.