75 Mall Live Search
16:11 / E Martë, 05 Maj 2020 / indeksADMonline

Si përfunduan katër kampionatet e ndërprera të futbollit kosovar?

Kampionati 2019/20 nuk është i vetmi që është ndërprerë në histori të futbollit kosovar.

Që nga viti 1945 kur organizohet kampionati i futbollit tonë, ai është ndërprerë edhe katër herë tjera, përcjellë Gazeta Olle.

Edicioniet 1980/81 dhe ai 1988/89, ishin ndërprerë që në fillim të stinorit pranveror me dekret nga pushteti i atëhershëm për shkak të demonstratave gjithë popullore të shqiptarëve.

Meqë kampioni duhej të kalonte në një rang më të lartë, pra në Ligën e Dytë të ish-Jugosllavisë, kampionë ishin shpallur skuadrat që në atë kohë kryesonin renditjen, Liria e Prizrenit dhe Budoqnosti i Pejës.

Vlen të theksohet që në ato kampionate, nga Liga nuk ishte larguar asnjë skuadër, kujton ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, tani sekretari i Vëllaznimit prej vitesh, Blerim Vula.

KF LIRIA, Prizren
KF Besa (ish-Budoqnosti), Pejë

E për shkak të një pandemie ishte ndërprerë edhe një kampionat tjetër, ai i edicionit 1971/72.

Ai edicion ishte ndërprerë në fillim të stinorit pranveror, por vazhdoi pas rreth një muaji e gjysmë me ritëm të përshpejtuar, pasi që pandemia “Variola” kishte kaluar relativisht shpejtë.

Kampionati i katërt i ndërprerë ishte ai 1997/98, njëherësh i vetmi që nuk dha titullin kampion për skuadrën kryesuese.

Meqenëse në pranverën e vitit 1998 lufta çlirimtare ishte shtrirë thuajse në tërë vendin, stinori pranveror nuk kishte filluar fare.

Kryesues të atij kampionati ishin Vëllaznimi, Besiana dhe Besa me pikë të barabarta.

As kampionati vijues (1998/99), sërish për shkak të luftës çlirimtare, nuk pati filluar fare.

KF Vëllaznimi, Gjakovë

Mbetet të shihet se cili do të jetë fati i edicionit aktual 2019/20.

Federata e Futbollit të Kosovës ka dërguar një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë, mirëpo ende nuk ka përgjigje.

Kësisoj, diskutimi nëse ky edicion duhet të rifillojë apo duhet që përfundimisht të anulohet, po rritet dita ditës.