13:26 / E Mërkurë, 13 Nëntor 2019 / indeksADMonline

“Si po mashtrojnë me foton time?”, rrëfimi i kosovarit në emër të të cilit kërkohen para

Ky është Sabit Gashi nga Suhareka, fotografia e së cilit po keqpërdoret nga disa qytetarë në Maqedoninë Veriore për të përfituar para.

Duke u paraqitur me emra të ndryshëm ata po kontaktojnë me bashkëkombësit në Shqipëri, duke u thënë se gjatë një udhëtimi me familjen në Maqedoni, kanë bërë aksident dhe fëmijët janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Madje, tërheqjen e parave ata po e bëjnë nga institucionet financiare dhe me numra personalë të pasaportave. Por, qytetarët pasi kishin kuptuar se kanë rënë pre e mashtrimit, kishin nisur kërkimet për Gashin, i cili vetëm brenda dy muajve të fundit ka pranuar pesë telefonata.

E personat target janë ata që përmes fotografive shihen se bëjnë jetë të mirë dhe mbajnë foto me fëmijët. Me disa prej tyre ka biseduar edhe Top Channel-i të cilët pa dashur të flisnin para kamerës kanë thënë se po vazhdojnë t’i mbajnë dëshmitë në rast nevoje të raportimit në polici.

Gashi të gjitha faktet i ka dorëzuar te Policia e Kosovës, prej të cilëve po pret që në bashkëpunim me policinë maqedonase t’i vërë para drejtësisë mashtruesit.