18:07 / E Martë, 13 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Si qëndrojnë politikanët kosovarë në rrjetet sociale, kush më shumë e kush më pak

Politikanët kosovarë janë goxha aktiv në rrjetet sociale. Facebook, Twitter dhe Instagram janë rrjetet sociale më aktive përgjithësisht nga liderë partish e institucionesh në Kosovë.

Indeksonline ka analizuar llogaritë e rrjeteve sociale të disa prej fytyrave publike politike më të përmendura në vend.

Në rrjetin social Facebook, llogaria e presidentit Hashim Thaçi është më e ndjekura. 328 mijë e 919 persona kanë pëlqyer faqen e Thaçit.

Thaçi përpos fotografive dhe videove të cilat publikon, është shumë aktiv edhe në lidhje direkte. Krahasuar me personalitetet tjera të vendit, Thaçi cilësohet si ai që përdor më së shumti lidhjen ‘LIVE’ në konferenca të ndryshme apo në vizitat që ai bën.

Thaçi ka edhe mbi 35 mijë ndjekës në rrjetin social Instagram,ndërsa në Twitter zakonisht presidenti zgjedhë të shkruajë në gjuhën angleze. Thaçi është aktiv në Twitter prej vitit 2011 dhe ka të ngarkuara 483 fotografi dhe video.

Të afërta janë shifrat e ndjekësve në Facebook sa i përket llogarive të kryeministrit Ramush Haradinaj si dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Llogaria e Haradinajt është e pëlqyer nga 163 mijë e 316 persona kurse ajo e Veselit nga 162 mijë e 887. Llogaria e Haradinajt në Facebook u hap më 1 dhjetor 2012, por që u aktivizua më shumë prej vitit 2013, kurse llogaria e Veselit u hap më 16 tetor të vitit 2013.

Kryeministri dhe kryeparlamentari vazhdojnë të jenë mjaft aktiv në Facebook, por që aktivitete e tyre i kanë mjaft të shtrira edhe në Instagram.

Haradinaj në Instagram ka gjithsej 17 mijë e 700 ndjekës dhe mbi 700 postime.

Haradinaj ka llogari edhe në Twitter e cila është hapur më vonë, por që është më pak aktive.

Ngjashëm në këtë rrjet qëndron edhe i pari i Kuvendit, Kadri Veseli. Hapja e llogarisë së tij u bë në prill të vitit 2016 ku ka 141 fotografi dhe video.

Veseli del të jetë më i ndjekur në rrjetin social Instagram, ku ka 22 mijë ndjekës dhe 564 postime gjithsej.

Albin Kurti është opozitari më i ndjekur në Facebook. Llogaria e Kurtit e cila është më aktive sa i përket statuseve, ka 115 mijë e 963 pëlqime.

Kjo llogari është aktive që nga maji i vitit 2017. Videot e publikuara në këtë llogari janë më të shumta dhe janë në përgjithësi nga fjalimet në periudhën e zgjedhjeve, shkruan Indeksonline.

Shpend Ahmeti poashtu ështe aktiv në Facebook. Llogaria e Ahmetit në Facebook ka 79 mijë e 224 pëlqime. Ahmeti është më aktiv në publikimin e fotografive.

Llogaria e tij është aktive që nga muaji gusht i vitit 2013, por që për dallim nga të tjerët, Ahmeti është shumë aktiv në profilin e tij privat, që shpesh herë ka postime që kanë të bëjnë edhe me punën dhe postin që ka.

Llogaria e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa ka gjithsej 57 mijë e 267 pëlqime. Kjo llogari ka një aktivitet më të gjerë me statuse e analiza, por jo edhe me fotografi apo video. Llogaria e Mustafës në Facebook ekziston që nga shkurti i vitit 2016, shkruan Indeksonline.

Për dallim nga gjithë fytyrat publike politike që janë aktivë në rrjetet sociale, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ditët e fundit nuk është fare aktiv dhe kjo si pasojë e mbylljes së llogarisë së tij në Facebook.

Limaj deri vonë kishte një llogari mjaft aktive në Facebook.

Limaj madje nuk posedon as Instagram. Të parin e Nismës mund ta gjeni edhe në Twitter, llogari kjo e hapur në vitin 2012.

Ndryshe, politikanët kosovarë në përgjithësi i janë bashkuar trendit botëtor të rrjeteve sociale për të promovuar vetveten dhe punën e tyre individuale, por edhe partiake./Indeksonline/