23:40 / E Martë, 29 Qershor 2021 / FG

Si ta kuptoni nëse jeni të dashuruar apo ju tërheq çmendurisht

Sa herë keni menduar që jeni çmendurisht të dashuruar, por në fakt kohë më vonë s’ju rezultoi dashuri? Sidoqoftë, atë ndjesinë magjike, që thuhet se e provojmë të gjithë njëherë në jetë shpesh ngatërrohet me tërheqjen e fortë që mund të kemi ndaj dikujt. 

Si ta dallojmë nëse çfarë ndjejmë është dashuri apo thjesht tërheqje? 

1. Bazohuni tek biologjia, faktori kyç

Shpesh na pëlqen të mendojmë se i kemi totalisht në kontroll mendimet dhe emocionet tona, por kur jemi të tërhequr ndaj dikujt dhe kemi ndjesi të papërshkrueshme karshi tyre, kjo ndodh pasi biologjia është në anën tonë. Truri çliron hormone që prodhojnë ndjenja të tilla si kënaqësia, lumturia dhe madje euforia.

Janë këto hormone që na bëjnë të ndihemi në qiell të 7-të dhe janë po të njëjtat që na bëjnë të mendojmë që kemi rënë në dashuri. Me kalimin e kohës, nëse ka qenë thjesht tërheqje, gjithë ndjesitë më lart do të zbehen dhe do ta keni situatën para jush shumë më të qartë.

Edhe nëse është dashuri, euforia, pasioni apo lumturia mund të zbehen, por jo dëshira e menjëhershme për të qenë të lidhur pas njëri-tjetrit, për të qenë pranë dhe për të përjetuar eksperienca bashkë.

2. Sipërfaqja VS përmbajtja

Kur kemi një tërheqje të fortë ndaj dikujt, ne e idealizojmë atë dhe mendojmë se ajo që na bën më shumë interesantë është dukja. Mënyra sesi vishemi, si jetojmë apo sesi sillemi. Në shumë situata stepemi për të mos treguar pjesë të vetes, nga frika se mos partnerit nuk do t’i pëlqejë. Por, kur koha të ketë kaluar dhe kjo tërheqje të jetë zbehur, ai që mendonim se donim kaq shumë mund të mos rezultojë njeriu që kishim idealizuar në mendjen tonë.

Nga ana tjetër, dashuria i pranon të gjitha: përfshi këtu gabimet dhe imperfeksionet. Dashuria e di që të gjithë jemi në progres të vazhdueshëm dhe jep mbështetje, inkurajon dhe shfaq krenari dhe besim për partnerin.

3. Fiksimi VS “let it be”

Tërheqja e kombinuar me pasionin është një tjetër mënyrë për të thënë që jemi të dashuruar me idenë. Jepemi kaq shumë pas dikujt sa mendojmë gjatë gjithë ditës për të, e lëmë veten që mendimet tona të konsumohen prej tij gjithë kohës edhe nëse ata s’janë aty fizikisht. Nga fiksimi mund të lindin pasiguritë dhe obsesioni ndaj dikujt çon deri aty sa ti ke nevojë të kontrollosh çdo veprim të partnerit. Nuk funskionon pa të dhe analizon çdo sjellje të tij. Përmes këtyre ndjesive jeni duke neglizhuar jetën tuaj, miqtë, familjen dhe përgjegjësi të tjera që mund të keni. Kjo, s’është dashuri.

Dashuria të lejon të jesh ai që je, duke të pranuar pa kushte dhe pa paragjykime. Në fund të ditës, dashuria të bën njeri më të mirë.

4. I fiksuar pas dashurisë VS të gjesh paqe tek dashuria

Ka nga ata që bien në dashuri kokë e këmbë brenda një kohe të shkurtër, duke menduar se kësaj here është gjëja e duhur. Janë të dhënë pas dashurisë romantike dhe të bindur se njeriu që kanë në krahë është shpirti i tyre binjak. Kur realiteti godet, zgjohen dhe kuptojnë që menduan gabim.

Hapi i radhës është të kërkojnë për një tjetër shpirt binjak dhe romancës së përjetshme, pa e ditur që edhe ajo do të zbehet një ditë. Nëse pasioni dhe tërheqja është gjithë çfarë këta njerëz përjetojnë, mund të mos e provojnë kurrë dashurinë e vërtetë, që vjen me ulje-ngritje, triumfe, zhgënjime dhe vështirësi nga më të ndryshmet. Sigurisht që romanca është magjike, por s’mjafton për ta mbajtur gjallë një marrëdhënie për kohë të gjatë.