08:34 / E Enjte, 20 Janar 2022 / GF

Si ta kuptoni që ‘faza e mjaltit’ në lidhjen tuaj ka mbaruar

Gjatë javëve, muajve të parë të lidhjes është normale të jesh skeptike në lidhje me ndjenjat e tua dhe të personit tjetër. Të gjithë e dimë që romanca ka fillimisht periudhën e “muajit të mjaltit” ku në botë je vetëm ti dhe ai dhe askush tjetër, ashtu siç dimë që një ditë, kësaj periudhe i vjen fundi. 

Fundi i periudhës së mjaltit s’është domosdoshmërisht diçka e keqe, pasi tregon se lidhja është në një tjetër nivel dhe ka marrë kuptim të një dimensioni tjetër. Si ta kuptoni që mjalti po mbaron?

1. Ti ke filluar të vësh re cilësitë e tij më pak të mira

Gjatë fazës së muajit të mjaltit për ty ai është perfekti dhe sytë e tu nuk shohin as mangësinë më të vogël tek njeriu përballë. Je shumë e dashuruar për të parë fajet dhe gabimet e partnerit, por kur kjo fazë mbaron ti zgjohesh dhe nis të shohësh më qartë. Aty kupton që si gjithë të vdekshmit edhe ai ka të meta dhe defektet që më parë ja doje, tani kanë filluar të të acarojnë paksa. Faza e mjaltit mbaroi.

2. Edhe pasioni ka filluar të zbehet

Në fillim të lidhjes ti do ta shohësh gjatë gjithë kohës dhe intimiteti është çfarë ju lidh më tepër. Kur “periudha e mjaltit” mbaron ti ke më pak emocione për të, në shtrat dhe jo vetëm. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se nuk keni më kimi apo tërheqje fizike ndaj njëri-tjetrit, thjesht duhet të përpiqeni t’i bëni gjërat herë pas here më pikante.

3. Ke filluar të reagosh më shumë ndaj konflikteve

Nëse dikur përpiqeshe t’i shmangie apo t’i mbyllje sa më parë, tani përfshihesh si kurrë më parë në sherr. Je gati sapo ndjen që nervat e tua nuk mbajnë më dhe reagon ashtu siç nuk kishe menduar se do ta bëje. Durim! E kuptojmë që mjati mbaroi, por është e rëndësishme t’i shihni gjërat nga perspektiva e partnerit dhe të mundoheni të kuptoni me qartësi.

4. Keni filluar të keni probleme me pjesën e kompromisit

Gjatë fazës së ëmbël ti e gjeje veten gati për të bërë gjithçka për partnerin. Ishe dakord për çdo sakrificë apo diçka tjetër në emër të dashurisë suaj. Tani që ka kaluar kohë, e ndjen se e ke më të vështirë të bësh kompromise. Mendon më tepër për veten dhe interesat e tua dhe kjo është ok, për aq kohë sa egoizmi i tepruar nuk shkakton probleme në çift. 

5. Kaloni më shumë kohë të ndarë

Nuk po flasim për hapësirën personale që sigurisht është e nevojshme për një marrëdhënie të shëndetshme. E kemi fjalën që ndryshe nga fillimi, kur rrinit bashkë 24/7, tani e gjeni veten shumë herë më shumë vetëm. 

6. Nuk të intereson më aq shumë dukja

E mban mend atë kohën gjatë muajit të mjaltit që kujdeseshe të zgjoheshe gjithnjë e bukur, e rregullt dhe perfekte në detaje? Gjërat kanë ndryshuar pasi tani e shihni njëri-tjetrin ndryshe dhe në fakt kjo është pozitive. Nuk keni më nevojë të mbani një look të caktuar për t’i bërë përshtypje atij. Supozohet të jeni komodë me njëri-tjetrin dhe versioni më i vërtetë i vetes.

7. Ti ja lejon vetes që ai të të shohë edhe zakonin më të keq, periudhën më të keqe

Në fillim gjithçka është piktoreske. Skenat mes jush janë perfekte dhe s’ka asgjë që s’shkon në tablonë e romancës. Kur njiheni më tepër, ja lejoni njëri-tjetrit të shihni edhe versionin më origjinal, që përfshin edhe gjestet më pak interesante. Ti mund të ulesh në tualet në sy të tij, pranon që ai të rri pranë kur je me të vjella, etj, etj. Kurse ai ka nisur të gërrhasë dhe ty kjo të bën 0 përshtypje.