Si u gjetë e vrarë Donjeta Pajazitaj, tregojnë provat e ekspertit mjeko-ligjor
Në gjykimin ndaj Naser Pajazitaj i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij Donjeta Pajazitaj, sot para Gjykatës së Pejës dëshmoi mjeku Naim Ukaj dhe dëshmitari Idriz Gashi.
Mjeku Naim Ukaj tregoi për gjendjen në të cilën ishte trupi i viktimës, Donjeta Pajazitaj.
“Autopsia e tani të ndjerës Donjeta Pajazitaj, pjesa kockore e kokës ka qenë e ndarë, kanë munguar organet e gjoksit do të thotë pjesa kockore e gjoksit ka munguar, janë konstatuar edhe gjurmë të kafshimeve nga shpezët e ndryshme të cilat na kanë vështirësuar gjetjen e provave ligjore me të cilat do të konstatoheshin detajet më të imëta”, deklaroi mjeku Naim Ukaj.
“Vdekja ka ardhur si rrjedhojë e fashitjes së trurit, i dy plagëve në kokë tejshkuese të shkaktuara nga arma e zjarrit”, tha mjeku Ukaj.
Ai tha se kanë kaluar deri në 30 ditë derisa trupi ka ardhur në autopsi.
Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Kreshnik Radoniqi, për mjekun mjeko-ligjor, se a është konstatuar ndonjë dhunë në trupin e të ndjerës?
Mjeku Naim Ukaj tha: “Mungesa e indeve tw buta na ka pamundësuar nëse ka pasur dhunë seksuale ose fizike, por nuk mund të përjashtohet një mundësi e tillë”.
Pastaj, gjykata shfaqi pamje nga trupi i viktimës.
Duke përshkruar fotografitë, mjeku Ukaj tha se pozita e qitësit kishte qenë lartë pozitës së viktimës, do të thotë pozita e viktimës ka qenë poshtë.
“Distanca e qitjes, forma e plagës hyrëse dhe dëmtimet në pjesën kockore të kafkës na japin fakte të besojmë se distanca e qitjes ka qenë më afër se një metër”, tha ai.
“Pozita e viktimës në momentin e goditjes ka qenë në gjunjë”, deklaroj mjeku-ligjor.
“Të gjitha provat në vendin e ngjarjes e duke përfshirë edhe pozitën e tani të ndjerës, kuptojmë që ka qenë pozitë e detyruar, mirëpo faktet se është ushtruar dhunë seksuale na kanë munguar”, u përgjigj mjeku Naim Ukaj.
Ndërsa nëna e viktimës Lumnije Pajazitaj, pyeti mjekun se si është e mundshme të gjeni shenjat e shpezëve, ndërsa shenjat tjera jo?
Në përgjigjen e tij Ukaj tha se: “Ne vetëm për ato që i shohim dhe kemi prova mund të deklarohemi”.
Naser Pajazitaj, po rigjykohet si i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij Donjeta Pajazitaj, akuza këto për të cilat pas dy vitesh gjykim, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn./Kallxo/