Si u njoh me Kolën, Beatriçja jep përgjigjen e papritur

Me këngën e tyre “Zjerm”, “Shkodra Elektonike” përfaqësuan denjësisht Shqipërinë në Eurovisionn 2025 dhe fituan zemrat e gjithë publikut. Dy pjesëtarët e grupit Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca ishin të ftuar në “Live From Tirana”, ku kanë zbuluar më shumë për veten.
Si jeni takuar dhe jeni bërë bashkë?
Beatriçja: Ne jemi takuar në internet, Kola ka pasur një grup dhe i kam gjetur disa video në YouTube. I kam dërguar një mesazh që “faleminderit për atë që po bën”. Ka qenë një surprizë e madhe për të zbuluar një artist shkodran alternativ. Ka qenë 2014-2015, kam qenë e re, nuk e kam menduar që Kola kishte qejf për t’u bërë një grup.
Kola: Është dashur kohë ta mendonim projektin. Kisha disa kohë duke eksperimentuar, derisa kur më shkroi Beatriçja. Më pëlqeu si këndonte, atituda e saj në skenë. Por në atë kohë nuk kisha diçka konkrete. Pasi mbarova turnetë me grupet e tjera, pastaj iu dedikova këtij projekti. Kemi bërë dy ditë prova bashkë dhe pastaj kemi filluar të bënim koncerte.
Sa e rëndësishme është për ju që të jeni autentikë?
Kola: Nuk ka rëndësi për ne. I bëjmë gjërat si na duken bukur, si na pëlqejnë ne. Nëse njerëzve u duket autentike, na bëhet shumë qejfi. I qëndrojmë këtij autenticiteti, nuk dimë ta bëjmë ndryshe. Mbase dhe mund ta provojmë (qesh).
A ka qenë qëllimi juaj që me muzikën tuaj të riktheni folklorin shqiptar edhe tek brezat e rinj?
Beatriçja: Ai është koncepti i “Shkodrës Elektronike”. Ne na ka lidhur të dy një këngë, dashuria që kemi për këngët shkodrane e pastaj kemi zbuluar dhe këngë të tjera shqiptare. Kur kemi filluar, koncepti ka qenë që të rikthejmë këto këngë kaq të bukura, që nuk njihen shumë jashtë Shqipërisë. Pak njerëz i njohin këngët shkodrane. Pastaj kombinimi me muzikën elektronike, i tërheq njerëzve të rinj. Dëgjuesit janë dhe më të rinj se ne (qesh).