Si u organizua vrasja e Ali Khameneit, operacioni 60-sekondësh që tronditi Lindjen e Mesme
Vrasja e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, konsiderohet pika kulmore ndër dekada e mbledhjes së informacioneve së inteligjencës nga shërbimet sekrete izraelite, për liderin iranian, me mbështetje të shtuar teknologjike dhe informative nga Central Intelligence Agency dhe agjenci të tjera amerikane gjatë gjashtë muajve të fundit.
Sipas ekspertëve dhe zyrtarëve në Izrael dhe SHBA, operacioni kulmoi në një shpërthim të përqendruar dhune që zgjati vetëm 60 sekonda, por që ishte rezultat i viteve të tëra përgatitjesh.
Sulme të koordinuara në zemër të Teheranit
Khamenei, 86 vjeç, u vra së bashku me shtatë anëtarë të lartë të sigurisë iraniane dhe rreth një duzinë familjarësh e bashkëpunëtorësh të afërt, në sulme pothuajse të njëkohshme në disa pika të Teheranit. Sipas zyrtarëve ushtarakë izraelitë, edhe rreth 40 drejtues të tjerë të lartë iranianë humbën jetën.
Vrasja hapi ofensivën ajrore të nisur nga Izraeli dhe SHBA-të gjatë fundjavës, me objektivin e deklaruar për të përmbysur regjimin klerikal në Teheran, duke zhytur rajonin në një fazë të re tensioni dhe pasigurie.
Roli i inteligjencës dhe operacionet e fshehta
Sipas raportimeve, koha e sulmit u përcaktua nga informacionet e mbledhura nga CIA mbi një takim të nivelit të lartë në një kompleks në qendër të Teheranit. Element kyç ishte konfirmimi se Khamenei do të ishte i pranishëm dhe ora e saktë e takimit.
Shërbimi izraelit Mossad kishte ndërtuar ndër vite një dosje të detajuar mbi rutinën e përditshme të liderit iranian, familjes dhe rrethit të tij të sigurisë. Ish-oficerë të inteligjencës theksojnë se operacione të tilla bazohen në një kombinim të të dhënave teknologjike, përgjimeve dhe rrjeteve të agjentëve në terren.
Reuel Gerecht, ish-oficer i CIA-s, vlerësoi se kapaciteti teknologjik amerikan, i kombinuar me rrjetet e Mossadit brenda Iranit, e rriti ndjeshëm efektivitetin e operacionit.
Ndërkohë, analisti izraelit Yossi Melman paralajmëroi për rrezikun e një gabimi strategjik, duke theksuar se “udhëheqësit gjithmonë zëvendësohen” dhe se vrasjet e mëparshme nuk kanë çuar domosdoshmërisht në zhdukjen e organizatave si Hamasi apo Hezbollahu.
Debati mbi pasojat
Ish-drejtuesi i inteligjencës ushtarake izraelite, Amos Yadlin, e cilësoi operacionin si një “surprizë taktike dhe operacionale”. Megjithatë, disa veteranë të inteligjencës amerikane e konsiderojnë eliminimin e liderit iranian si një lëvizje të diskutueshme në planin afatgjatë strategjik.
“Isha dakord me shumë operacione të tilla në karrierën time, por rrëzimi i një lideri nuk e zgjidh problemin – thjesht krijon një tjetër”, tha një ish-veteran i CIA-s.
Operacioni, që sipas zyrtarëve zgjati vetëm një minutë, shihet si moment që mund të ndryshojë ekuilibrat rajonalë. “Fusha moderne e betejës përcaktohet nga të dhënat, qasja, besimi dhe koha. Një minutë mund të ndryshojë një rajon”, deklaroi Oded Ailam, ish-drejtues në Mossad.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar frikën për përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme, ndërsa pasojat politike dhe ushtarake të këtij operacioni pritet të ndihen për një kohë të gjatë./Tch

