Si u rrëzua Christian Horner nga maja e Red Bull! Bernie Ecclestone zbulon arsyet

Pas më shumë se dy dekadash në krye të një prej skuadrave më të suksesshme të Formula 1, Christian Horner u shkarkua nga Red Bull në vitin 2024, duke shënuar një fund të bujshëm për një epokë të lavdishme, por edhe të mbushur me polemika.
Në një intervistë të sinqertë dhe të drejtëpërdrejtë, Bernie Ecclestone, njeriu që dikur e ndihmoi Horner-in të ngjitej në majat e këtij sporti, zbardh prapaskenat e largimit dhe tensionet që e shoqëruan.
Ecclestone, tani 94 vjeç, flet pa doreza për rënien e mikut të tij të ngushtë. Ai e përshkruan Horner-in si një njeri ambicioz, energjik dhe jashtëzakonisht i zotë në menaxhim, por që me kalimin e kohës u bë shumë i përqendruar në pushtet dhe nisi të qeveriste Red Bull-in si pronën e tij personale. Sipas tij, Horner nuk ishte më thjesht drejtues i një ekipi – ai ishte bërë vetë identiteti i ekipit.
Skandali seksual që shpërtheu në fillim të vitit 2024 ku Horner u akuzua për mesazhe të papërshtatshme ndaj një punonjëseje vetëm sa përshpejtoi procesin e rrënimit. Edhe pse ai u shpall i pafajshëm në dy hetime të ndara, rrjedhja e mesazheve private në media, në prag të Çmimit të Madh të Bahrain-it, e dëmtoi rëndë imazhin e tij publik dhe brenda ekipit. Ecclestone, edhe pse e quan sjelljen e Horner-it “budallallëk”, nuk e sheh akuzuesen si viktimë tipike, duke ngritur pyetje për mënyrën si janë trajtuar këto situata.
Sipas Ecclestone-it, problemet reale nisën më herët – kur drejtuesit austriakë të Red Bull-it filluan të besojnë se Horner po grumbullonte shumë pushtet dhe po vepronte i pavarur. Kur ekipi po fitonte, askush nuk fliste. Por kur nisën problemet, shumë filluan të pyesin:
“A mund ta bëjë dikush tjetër këtë punë më mirë?”
Mospajtimet brenda skuadrës, përfshirë edhe tensionet me babanë e Max Verstappen, e përkeqësuan situatën.
Ecclestone beson se Dietrich Mateschitz, themeluesi i Red Bull-it dhe një mik i përbashkët i tyre, po të ishte gjallë, do ta kishte parandaluar këtë krizë. Ai do ta kishte ndjerë se situata po dilte jashtë kontrollit dhe do të kishte ndërhyrë me urtësi për të rivendosur ekuilibrin.
Pavarësisht fundit të trazuar, Bernie nuk kursen lavdërime për arritjet e Horner-it:
8 tituj konstruktorësh dhe 124 fitore në gara janë një trashëgimi që pak mund ta sfidojnë.
Ai kujton edhe gjestet njerëzore të Horner-it dhe miqësinë e vërtetë mes tyre një marrëdhënie që ka kaluar shumë sfida dhe që ka mbijetuar për dekada.
Në fund, Ecclestone shtron një të vërtetë të thjeshtë: “Nuk mund të menaxhosh diçka gjysmë. Duhet vetëm një njeri që ndez dhe fik dritat.” Dhe Horner, sipas tij, e kishte humbur atë autoritet.