17:26 / E Martë, 04 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Si vidhen paratë e shtetit përmes ndërmarrjeve publike?

Indeksonline

Kur u diskutua për herë të parë procesi i fillimit të privatizimit në kohën e IPVQ-së (Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës), vendi u përmbys më shumë nga marritë që lindën dhe rreth asaj se a duhej apo jo të fillonte privatizimi.

Natyrisht, brenga brenda të gjitha mendimeve kishte pikënisje nga ato idealiste e deri ato thjesht obstruktive e dashakeqëse.

Privatizimi filloi se nuk mund të mos fillonte, ashtu, me të gjitha të metat dhe prapësitë e mundshme (ata që ishin në fillim u larguan me kohë nga Kosova nga frika e burgut), por ndërmarrjet publike mbetën gjahu i pambrojtur nga sulmet e klasës politike të Kosovës ndërkaq.

Asnjë keqpërdorim i mundshëm nuk mund të krahasohet më atë që ndodhi në ndërmarrjet publike në vend. Dhe në qoftë se dikush dëshiron ta dijë më shpejt dhe më saktë se si ka rrjedhë ph-ja e shtetit dhe e shoqërisë së Kosovës nga paslufta e gjer më sot, atëherë le të përqendrohet në vëzhgimin e ndërmarrjeve publike.

Aty është mbi 90 përqind e krimit dhe e korrupsionit që ka ndodhur në këtë shtet dhe që është duke ndodhur duke mos i përjashtuar në këtë rast as tenderët në qeverisjen lokale e qendrore.

Klasa politike në Kosovë, pa përjashtim, ndërmarrjet publike i shfrytëzoi dhe vazhdon t’i shfrytëzojë:

Së pari, për përfitime personale, që do të thotë nëpërmjet tyre e çon kapitalin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës në shtëpi dhe e bën pronë private në kundërshtim me ligjin;
Së dyti, klasa politike në Kosovë ndërmarrjet publike i shfrytëzoi për nepotizëm, çka do të thotë se e gjithë klasa politike i ka rehatuar familjarët e vet dhe akrabanë nëpër ndërmarrje publike;
Së treti, klasa politike në Kosovë i ka shfrytëzuar ndërmarrjet publike për punësime partiake, çka do të thotë se me kapital publike e ka blerë votën e lirë demokratike për të përfituar politikisht;
Së katërti, me ndërmarrje publike kanë krijuar kapital që i ndërlidh lidhjet e tyre me faktorë të jashtëm deri në investime të mëdha të bazuara në dyshime serioze që kapin shifra marramendëse;
Së pesti, shumë ndërmarrje publike kanë mbetur peng i klasës politike duke iu nënshtruar një zhvleftësimi gradual të tyre për qëllime të përvetësimit të tyre në forma nga më të ndryshmet;
Së gjashti, shumë investime në nivele miliardësh në kuadër të ndërmarrjeve publike kanë mbetur peng e klasës politike nga arsyeja se ajo nuk e ka gjetur ende pozicionin për veten e saj në kuadër të atyre investime;
Së shtati, është bërë rutinë dështimi i investimeve të jashtme me ndërmarrjet e brendshme publike në raport me konkurrencën e mirëfilltë të tregut të lirë.

Në të ardhmen e afërt Indeksonline do t’i prezantojë të gjitha faktet e keqpërdorimeve në kuadër të ndërmarrjeve publike dhe veprimet e paligjshme në kuadër të kësaj fushe./Indeksonline/