75 Mall Live Search
10:09 / E Martë, 16 Dhjetor 2025 / b l

Si zgjodhi vetëflijimin “Nëna e UÇK-së” për të mos rënë në duart e armikut

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj, ka rrëfyer me emocione momentet tragjike të ofensivës së gushtit 1998, kur nëna e tij, Aze Brahimaj, e njohur si “Nëna e UÇK-së”, u vetëflijua për të mos rënë në duart e forcave serbe.

Sipas Brahimajt, gjatë ofensivës ai ndodhej në një pozicion luftarak, ndërsa vëllai i tij Nazmiu ishte i angazhuar në një krah tjetër. Forcat serbe kishin depërtuar në një pjesë të fshatit, ku në shtëpinë e familjes Brahimaj ndodheshin vetëm nëna Aze dhe gjyshja.

“Ishte ofenziva e gushtit 1998 dhe vëllai Nazmia ishte në një pozicion në një krah tjetër, unë në një pozicion dhe forcat serbe depërtuan në një pjesë të fshatit. Në fakt, kur kanë hy te shpija ka qenë nana dhe gjyshja. Këtë e kam vërtetu pas qëndrimit tim në Hagë, është edhe një polic i vrarë në oborr të shtëpisë. Nana jem për bashkëluftëtarët që e dijnë ka dit me përdor armatimin që e kem pas atëherë, armatim i lehtë. Dhe në fund për mos mu dorëzu e ka pas një plumb këtu (në fyt) dhe kafka ka qenë e hapur”, rrëfen ai në “VV Show” duke nënvizuar aktin e vetëflijimit si një vendim për të shmangur dorëzimin tek armiku.

Ai tregon se nëna e tij, e cila gëzonte respekt të jashtëzakonshëm në mesin e luftëtarëve të UÇK-së në Drenicë, Llap dhe zona të tjera, kishte ditur të përdorte armatimin e lehtë që ndodhej në shtëpi.

Sipas Brahimajt, personi i parë që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes gjatë luftimeve ishte Daut Haradinaj me disa nga ushtarët e tij, e më pas edhe vëllai i tij Nazmiu.

Vetë Lahi Brahimaj ndodhej në një krah tjetër të frontit dhe ishte njoftuar për ngjarjen në orët e mbrëmjes.

“Njeri e parë që ka mbërri në vend gjatë atyre luftimeve ka qenë Daut Haradinaj me disa ushtarë të tij, pastaj Nazmia. Unë kam qenë krejt në një krah tjetër, dhe më kanë thirrë, ka qenë mbrëmje. Ka pas shumë bashkëluftëtarë duke qajt që e kanë nanën, ka gëzu një respekt në të gjitha zonat e UÇK-së, Drenicë, Llap”, thotë ai.

“Një bashkëluftëtar më tha: pse ti po këndon? I thashë: kjo punë ka marrë fund, gjithësecili jemi të armatosur, mundësia është me marrë hakun dhe nuk kemi kohë me vajtu, duhet me shku tutje”, ka rrëfyer Brahimaj.

“Nuk ka qenë e lehtë, kryesisht me kufomën e tyre janë marrë dy njerëzit, edhe ushtarët tjerë, Nazmia dhe Dauti, unë jam marrë me pjesën tjetër të bashkëluftëtarëve”, u shpreh ai.