75 Mall Live Search
10:00 / E Enjte, 04 Korrik 2024 / MSH

Sierra Leone ndalon martesat e fëmijëve

Sierra Leone ka ndaluar zyrtarisht martesat e fëmijëve.

Vendimi është marrë nga presidenti Julius Maada Bio, i cili ka nënshkruar projektligjin, që i jep fund kësaj praktike të përhapur, shkruan CNN-i.

Mbrojtësit shpresojnë se ky legjislacion do të mbrojë vajzat në këtë vend, rreth një e treta e të cilave martohen para se të mbushin 18 vjeç.

Sipas ligjit, çdo burrë që martohet me vajzë nën moshën 18 vjeç mund të përballet me të paktën 15 vjet burgim dhe gjobë prej 4 mijë dollarësh.

Madje, ligji tani parasheh se edhe prindërit ose pjesëmarrësit në ceremoni të tilla martesore mund të gjobiten po ashtu.

Ligji i ri mundëson gjithashtu që viktimat e këtyre martesave mund të anulojnë kurorëzimin e bërë.

Afrika Perëndimore dhe ajo Qendrore kanë prevalencën më të lartë të fëmijëve të martuar. Afro 60 milionë vajza nga ky rajon janë martuar qysh fëmijë, bën të ditur UNICEF-i.