75 Mall Live Search
12:49 / E Premte, 23 Maj 2025 / H F

Siguri dhe shërbim edhe në emergjenca/ Autoambulancë e re për Policinë e Kosovës

Sipas të gjitha gjasave, Policia e Kosovës shumë shpejt do të pajiset me një autoambulancë të re, pasi tashmë përmes platformës së E-prokurimit është bërë kërkesa zyrtare.

Për këtë qëllim, nga buxheti i policisë janë ndarë hiç më pak se 90 mijë euro, shkruan IndeksOnline.

Në dokumentet përkatëse janë përcaktuar qartë edhe kriteret që duhet të plotësohen nga operatorët ekonomikë.

Ndër kërkesat bazë është dorëzimi i katalogut apo broshurës së autoambulancës, së bashku me specifikacionet teknike dhe pajisjet mjekësore.

Ndër të tjera, automjeti duhet të ketë garanci minimale prej tre vjetësh. Operatorët ekonomikë gjithashtu duhet të dëshmojnë se kanë në pronësi një servis të autorizuar ose një marrëveshje bashkëpunimi me një servis të tillë brenda territorit të Kosovës, për të garantuar mirëmbajtjen dhe servisimin e autoambulancës gjatë periudhës së garancisë.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave për këtë tender është 3 qershori 2025.

Ky investim synon të përmirësojë kapacitetet logjistike dhe operacionale të Policisë së Kosovës, duke rritur gatishmërinë për të përballuar situata emergjente dhe për të ofruar ndihmë mjekësore më efikase në terren.