75 Mall Live Search
12:18 / E Premte, 14 Nëntor 2025 / H F

Siguria e të burgosurve në fokus: Shërbimi Korrektues i Kosovës nis një tender të ri për pajisjet mbrojtëse

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shpallur një tender të ri publik, i cili ka të bëjë me servisimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të sigurisë në të gjitha institucionet korrektuese të vendit.

Titulli i kontratës i publikuar nga autoriteti kontraktues është: “Servisimi dhe mirëmbajtja e sistemit me rreze X-ray, detektorëve statik të dorës dhe sistemit mbrojtës me sensor në të gjitha institucionet korrektuese”, transmeton IndeksOnline.

Sipas njoftimit, kontrata kornizë pritet të ketë një kohëzgjatje prej 36 muajsh, ndërsa vlera e parashikuar e saj është 90,000 euro.

Pas nënshkrimit të kontratës, operatori ekonomik fitues është i obliguar të dërgojë listën e punëtorëve të përfshirë në projekt për verifikim të së kaluarës së tyre kriminale.

Lista i dorëzohet menaxherit të kontratës, i cili më pas e përcjell për verifikim në organet kompetente.

Punëtorët që rezultojnë me të kaluar kriminale ose që kanë qenë të dënuar më herët nuk do të kenë të drejtë të hyjnë në hapësirat e institucioneve korrektuese.

Autoriteti kontraktues, po ashtu, rezervon të drejtën të verifikojë të gjitha dokumentet e paraqitura nga operatorët ekonomikë gjatë procesit të tenderimit./IndeksOnline/